Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, me rastin e 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga kompleksi “Adem Jashari”, ku pushon familja Jashari, Haradinaj ka thënë se nga ky vend “nisemi më të fortë çdo herë për të gjitha ato sfida e punë që na presin”.
“Sot me bashkëluftëtarë nga të gjitha trevat, kolegë po nderojmë këtu në Prekaz, në vendin ku ka ndodhur kthesa e vetëdijes sonë kombëtare, e vetëdijes për çlirim ku i gjithë populli pranoi kushtrimin nga këtu për t’u përball e luftuar deri në çlirim. Në këtë vend pushon familja Jashari, komandanti, Adem Jashari. Nga ky vend nisemi më të fortë çdo herë për të gjitha ato sfida e punë që na presin. I përjetshëm qoftë kujtimi për të rënët për liri, familjen Jashari”, u shpreh Haradinaj.
Këtë të diel bëhen 25 vjet që nga rrethimi i familjes së Jasharëve, në Prekaz të Drenicës.
Leave a comment