Glauk Konjufca është emër i rëndësishëm në politikën kosovare. Përveç nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë më të madhe në skenën politike, Konjufca është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës. Në këtë cilësi, ai dha një intervistë të gjatë për emisionin “Context” të ATV-së, që udhëhiqet nga gazetari Leart Hoxha.
Në intervistën e gjatë, Konjufca foli për shumë çështje, por një pjesë e konsiderueshme e saj u koncentrua në zhvillimet e fundit në Kosovë. Pra Konjufca tregoi qëndrimet e tij rreth planit evropian, Asociacionit të komunave me shumicë serbe e pritshmërive të tij për takimin e Ohrit.
Në lidhje me marrëveshjen evropiane, z. Konjufca tha se ajo ja siguron njohjen de facto të fuqishme.
“Unë mendoj që plani evropian është një njohje e fuqishme de facto e kam thënë prej fillimit që nuk është de jure. Pra ne e dimë praktikën qysh njihen shtetet, me procedura juridike të plota” – deklaroi ai në Context të ATV-së.
E kjo njohje, sipas tij, i pengon Serbisë, duke theksuar se kjo e fundit nuk do ta nënshkruaj këtë marrëveshje as në Ohër, ku do të mbahet një takim mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiq.
“Unë mendoj se kjo është arsye që për shkak të nenit 2 që Serbia nuk e nënshkruan dhe nuk pres që ta nënshkruaj as me 18 mars. Kryeministri Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por Serbia nuk ka qenë e gatshme” – deklaroi tutje ai.
E pas kësaj deklarate, Konjufca foli gjerë e gjatë për Asociacionin, duke treguar qëndrimin tashmë të ndryshuar të tij. Nga nuk ka Asociacon “as asi, as ksi”, tash Konjufca thotë se Asociacioni nuk duhet të jetë asgjë përtej asaj çfarë ka shkruar Gjykata Kushtetuese.
“Kosova përmes një premtimi dhe instruksioni të Gjykatës Kushtetuese, po don me nxjerr njohjen de facto, qekaq e thjesht matematikisht, mendoj se të kishte qenë ky pozicionim i Kosovës. Pra kurgjo duke mos dhënë më shumë se Gjykata Kushtetuese që na ka thënë, na me mujtë me kap njohjen de facto prej Serbisë, që do të ishte shumë ecje e madhe përpara. Por unë nuk mendoj se do të ndodhë kjo, sepse Serbia nuk do ta pranojë këtë.” – deklaroi Konjufca në ATV.
Tutje, ai dha edhe një në lidhje me Asociacionin, duke e habitur edhe moderatorin e emisionit.
“Serbia nuk do ta pranojë këtë, sepse ajo i qetë në peshore. Sa peshon me njoftë Kosovën de facto dhe pas njohjes de facto, cila janë perspektivat e Serbisë, çka mundet me fitu Serbia? Cfarë lloj të mekanizmit në Kosovë? Unë mendoj që mundet me kriju një forum të komunave serbe, ku ata mbledhen dhe folin për problemet e tyre” – tha Konjufca.
Edhe gazetari u befasua nga kjo çka tha Konjufca, aq sa e shtroi një pyetje.
“A është gjetje e juaj kjo?” – pyeti gazetari Leart Hoxha.
“Forumi a? Unë mendoj që edhe Asociacioni jonë, ky që e kemi ne, a e ke pa mbledhen aty, ata nuk e kanë asnjë kompetencë të Qeverisë nuk e kanë.” – deklaroi Konjufca.
Gjatë intervistës, Konjufca dha edhe ca detaje në lidhje me planin e zbatimit të marrëveshjes evropiane, që ndryshe njihet si aneksi. Sipas tij, plani i zbatimit e parasheh edhe njohjen de facto, por edhe Asociacionin.
“Kjo plani i implementimit, edhe në plan të implementimit, në road map aty, përnime e ka njohjen de facto në fillim, Asociacionin e ka 15 ditë mbrapa. Tash me ju kallxu kështu, nëse po shkojmë prej hapit të parë në hapin e dytë, në hapin e dytë ju duhet me i ditë tri gjëra, me qenë të sinqertë. Kur jemi të sinqertë, më së miri kalojmë, me i qitë krejt letrat e me i shpalosë. E para, edhe vetë garancinë e ka dhënë BE-ja se s’ka me pasë kompetenca ekzekutive. E dyta, ne ju tregojmë se cilat janë kompetencat joekzekutive. E treta, ne kemi marrë garancion prej ShBA-së dhe BE-së që ky Asociacion nuk do të jetë kurrfarë mekanizmi përtej asaj që e lejon Kushtetuta e Republikës së Kosovës” – vlerësoi Konjufca.
Në fakt, përgjatë gjithë emisionit, Konjufca në disa raste është përballur me pyetje të vështira, si p.sh. ajo kur moderatori e pyet nëse i beson ShBA-së. Natyrisht, Konjufca pohoi se u beson ShBA-së, teksa moderatori insistoi se pse atëherë nuk themelohet Asociacioni pas garancive të ShBA-së se s’do të jetë Republikë serbe.
Leave a comment