Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rexhep Selimi, të martën ka mbajtur fjalim para trupit gjykues në Gjykatën Speciale, në procesin gjyqësor u ai bashkë me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, po akuzohen për krime lufte.
Ndër të tjera Selimi ka thënë se nga themelimi i Gjykatës Speciale shpeshherë është pyetur se a kishte frikë nga drejtësia. Ai ka theksuar se “nuk ka frikë nga drejtësia”, por se nga padrejtësia sipas tij, duhet të kenë frikë të gjithë.
Selimi ka thënë se qëndron përballë trupit gjykues me besimin e plotë se në fund të procesit do të vendoset në favor të pafajësisë së tij.
Fjalimi i tij i plotë:
Ka pothuajse 2 vjet e gjysmë qëkur u njoftova që ndaj meje është ngritur një aktakuzë nga Dhomat e Specializuara. Natyrisht nuk e prisja. Sido që rrodhën ngjarjet, tash jemi përballë një aktakuze që me të drejtë vazhdojmë ta konsiderojmë të pabazuar mbi fakte e argumente. Prandaj përballë kësaj aktakuze sërish deklarohem se nuk kam të bëj asgjë me krimet e pretenduara në këtë aktakuzë.
Në fillim të viteve ‘90 isha student në Universitetin e Prishtinës në Fakultetit Filologjik në degën Letërsi e Gjuhë Shqipe. Si kudo në Kosovë, edhe në UP u përshkallëzua dhuna. Më kujtohet kur na dëbuan nga konviktet, unë isha në konviktin numër 2 ku më 16 mars 1990 rreth Qendrës së Studentëve shihje autoblinda me policë të armatosur duke nxjerrë studentët shqiptarë jashtë. Më nuk mund të hynim në objektet e Universitetit, më nuk mund të hynim në fakultete e as në bibliotekë.
Shqiptarët u larguan nga puna, nuk kishte më policë shqiptarë, nuk kishte më as mjekë shqiptarë, as postierë shqiptarë, as në punë në administratë. Të rinjtë shqiptarë nuk mund të luanin as futboll në stadiumet e palestrat sportive, u mbyll televizioni i vetëm në gjuhën shqipe dhe u mbyllën të gjitha gazetat.
Dhuna ndaj shqiptarëve përshkallëzohej, të rinjtë dërgoheshin me dhunë në ushtrinë jugosllave, jo për të shërbyer në ushtri, por për të na vrarë ashtu siç i vranë shumë të rinj që i dërgonin në ushtri e pastaj i kthenin në arkivole të mbyllura.
Si sot më kujtohet kur bashkëmoshatarin tim, Jetullah Desku, e dërguan me forcë në shërbimin ushtarak dhe pas pak kohe e kryen në arkivol, duke i thënë familjes së tij se e kishte vrarë veten.
Unë siç thashë më lart, isha në moshën e adoleshencës kur vijoja mësimet në shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” në Klinë, për dijeninë tuaj Luigj Gurakuqi ishte një patriot, shkrimtar shqiptar i fundshekullit XIX dhe fillim shekullit XX e Serbia dhunshëm ia ndërroi emrin e shkollës sonë dhe bustin e Luigjit e hodhën zvarrë në lumë.
Atë vit filluan t’i helmonin nxënësit e shkollës sime. Edhe sot mund t’i gjeni ato imazhe të të rinjve që përpëliteshin buzë çmendësisë apo vdekjes si pasojë e helmimit të organizuar të nxënësve shqiptarë në shkollat tona. I shihja moshatarët e mi duke vuajtur dhe nxjerrë shkumë nga goja nga helmimet misterioze që bënte Serbia kundër nxënësve shqiptarë.
Ky gjah ndaj të rinjve shqiptarë vazhdonte pa ndalur si një presion sistematik për t’i bërë ata që ta lëshonin Kosovën. Prandaj në fillim të viteve ‘90 shumë bashkëmoshatar të mi u detyruan ta braktisin Kosovën që aq shumë e donin.
Në atë kohë unë kisha dy opsione, të qëndroja në Kosovë dhe të prisja që potencialisht një ditë mund të helmohesha, të arrestohesha, të vritesha, të dërgohesha me dhunë në ushtrinë vrastare të Serbisë, apo për t’iu shmangur kësaj, ta lëshoja edhe unë Kosovën, të shkoja diku në Gjemani, apo në Holandë këtu, ku kisha gjysmën e familjarëve të mi, të kërkoja azil si shumë të rinj shqiptarë.
Në mes të këtyre dy opsioneve, unë zgjodha një rrugë të tretë. Në vend që t’u bashkohesha familjarëve të mi në mërgim, unë iu bashkova një familjeje akoma më të madhe, iu bashkova familjes Jashari në Prekaz. Lashë ëndrrat e mia të rinisë, lashë studimet e letërsisë dhe u bëra pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja në atë kohë e kishte emrin ushtri, por nuk numëronte shumë njerëz.
Emrin dhe vullnetin e kishim të madh, por njerëz dhe armë kishim shumë pak. Të ishe pjesë e UÇK-së do të thotë të ishe armiku i Serbisë dhe mund të vriteshe, ose e pakta të arrestoheshe, siç u arrestua vëllai im dhe u dërgua në burgjet e tmerrshme serbe, apo siç edhe u arrestua shoku im Besnik Restelica, të cilin e mbytën gjatë torturave në ambientet e hetuesisë në Prishtinë.
Unë tashme isha kërkuar nga Serbia, ata më ndiqnin për të më arrestuar ose edhe për të më vrarë. Ndaj meje u publikua një aktakuzë nga gjykata e Serbisë, në atë aktakuzë ishte edhe vetë Adem Jashari, si dhe bashkëluftëtarë të tjerë të tij. Unë nuk mund të qëndroja më tutje në shtëpinë time dhe në familjen time, prandaj u detyrova që bashkë me dajën tim Mujë Krasniqi, më 10 tetor 1996 të largoheshim nga shtëpitë tona.
Prej asaj kohe, kryesisht qëndroja me familjen Jashari dhe jo vetëm. Aty qëndroja me Ademin, Shabanin, Hamzën, aty qëndroja edhe me fëmijët e asaj familjeje, me Fitimin, Besimin, Kushtrimin, Igballen e të gjithë ata fëmijë të asaj familjeje, këta emra fëmijësh që sapo i përmenda, të gjithë u vranë pastaj nga një sulm i policisë serbe mbi familjen Jashari.
Pra më 5 mars 1998 filloi sulmi i Serbisë mbi familjen Jashari, në Prekaz, në ditën e sulmit unë nuk ndodhesha aty, prandaj edhe jam gjallë, përndryshe edhe unë do ta kisha fatin e atyre që ranë atë ditë në ato tri ditë, siç njihen tri ditët e Epopesë së UÇK-së. Në atë betejë, Adem Jashari ra heroikisht duke rezistuar bashkë me tërë familjen e tij.
Ne shokët e Adem Jasharit që shpëtuam gjallë mbetëm përballë gjithë Serbisë. Ishim shumë pak djem dhe vajza, burra e gra, të armatosur shumë dobët e të pauniformuar dhe të paorganizuara mirë, mbetëm luftëtarë pa komandant, krejt çka mund të bënim ishte ta ndiqnim rrugën e Adem Jasharit, të vdisnim duke luftuar apo të luftonim deri në fitore. Disa e bënë të parën, ranë duke luftuar, e disa e bëmë këtë të dytën e i mbijetuan luftës deri në përfundimin e saj.
Në ato ditë të rënda për Kosovën, vazhduam të rezistonim, ashtu siç dinim e ashtu siç mundnim, donim ta kishim edhe në një ushtri të armatosur mirë, por nuk ia arritëm ta armatosnim si duhet.
Donim edhe ne ta kishim një ushtri të organizuar mirë, por nuk e arritëm ta organizonim siç do të duhej, donim edhe ne ta mundnim Serbinë, por nuk e arritëm këtë, pa ndihmën e shteteve nga jashtë, u munduam të organizohemi, të armatosemi, por nuk ia arritëm, u munduam ta bënim këtë për të mbijetuar si njerëz të vendit ku kishim lindur.
Ne nuk kishim kazerma, por kishim shtëpitë e familjeve tona dhe familjeve të tjera, të cilat na strehonin dhe na mbanin, ne nuk kishim akademi ushtarake, por na kishin mësuar prindërit tanë se si duhet të mbrohemi e të luftonim për vendin tonë, ne nuk kishim uniforma, por ato i sajonim, disa i blinim e disa edhe i ngjyrosnim vetë që të dukeshim si ushtarë, kujtoj se si piktori akademik Idriz Berisha, me brushën e tij të piktorit i pikturonte rrobat e punëtorëve, që ato të dukeshin sikur rrobat e ushtarëve.
Të nderuar gjykatës, lufta nuk është e mirë asnjëherë dhe për askënd, ne luftën nuk do ta zgjidhnim kurrë as si profesion e as si pasion, po ajo ishte domosdoshmëri për mbijetesën si komb e si shoqëri, e ndërkohë dhuna agresive dhe shtypja vazhdonte kundër popullatës shqiptare në Kosovës, Serbia kreu qindra masakra, ku siç të gjithë e dimë, vrau mbi 12 mijë shqiptarë, pa kursyer fëmije e gra e pleq e të sëmurë.
Përveç vrasjeve, forcat serbe dhunuan mijëra gra e vajza të pambrojtura shqiptare, ata dogjën me qindra e mijëra shtëpi, dëbuan me dhunë nga Kosova, gjysmën, apo më shumë se gjysmën e popullatës, kurse ne asnjëherë nuk bëmë atë çka bënte Serbia kundër nesh, pra nuk iu përgjigjëm në të njëjtën formë.
E nëse po flasim për krime, atëherë le të flasim për ato krime që në të vërtetë kanë ndodhur, le të flasim për të gjitha masakrat, qoftë për atë të Mejës, Reçakut, Abrisë, Radoniqit, Izbicës, Krushës, Rezallës, Poklekut, Qyshkut, Makovcit apo edhe qindra maskara të tjera ku janë vrarë fëmijët, qoftë edhe në gjirin e nënave të tyre. Le të flasim pra për Dubravën, ku Serbia ekzekutoi mbi 100 të burgosur shqiptarë, le të flasim për të zhdukurit me dhunë, ku edhe sot mijëra nuk janë gjetur akoma, le të flasim për krejt ata kriminelë që kanë bërë krime dhe akoma nuk janë ndëshkuar.
Në qershor të vitit 1999, NATO-ja dhe shtetet aleate ndërhynë në ndihmë të popullit tonë dhe pas 78 ditë bombardimesh lufta përfundoi, Kosova tashmë ishte e lirë. Pas përfundimit të luftës, ata që e morën përgjegjësinë për rendin dhe sigurinë ishin NATO dhe Kombet e Bashkuara, respektivisht KFOR-i dhe UNMIK-u, bashkërisht me ta u përpoqëm që Kosova të bëhej shtet, të kishte zgjedhje të lira dhe institucione demokratike, si rezultat sot Kosova është shtet sovran dhe demokratik.
Pas themelimit të kësaj gjykate, jo rrallëherë jam pyetur se a kisha frikë nga drejtësia, gjithmonë kam thënë dhe sot e përsëris, unë nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë. Por pavarësisht kësaj, unë sot qëndroj përballë jush, me besimin e plotë se në fund të këtij procesi ju do të vendosni në favor të pafajësisë sime.
Siç u tha më herët këtu, më duhet të theksoj e të them se dallimet dhe opinionet politike mes nesh, sidomos në kohë specifike dhe me ndikime të thella politike, nuk duhet dhe nuk mund të përdoren si fakte juridike kundër askujt e po ashtu kundër neve, të bashkakuzuarve. Në këto çaste kur ne po flasim e po na shohin bashkëkombësit tanë, qytetarët e vendit tim, kam shumë besimin se të gjithë së bashku do ta nxjerrim të vërtetën dhe unë bashkë me bashkëluftëtarët e mi do të kthehemi në vendin tonë të lirë, për të cilin luftuam dhe punuam gjatë gjithë jetës sonë. Ju faleminderit që më dhatë mundësinë t’ju adresohem!
Leave a comment