Dukagjin Gërvalla, familjar i Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, e ka humbur muajin që shkoi një orë luksoze.
Familjari i ministres Gërvalla ka deklaruar në Polici se ora e tij me vlerë gjashtëdhjetë mijë euro është vjedhur në hotelin “Emerald”, ku ai po qëndronte.
Por, Gërvalla para organeve të rendit po vlerësohet se e ka deklaruar vlerën e orës së tij “Harry Winston” jo në mënyrë të saktë.
Demokracia.com nga burime në Policinë e Kosovës ka mësuar se kjo orë kushton rreth 200 mijë euro.
Demokracia.com ka siguruar edhe raportin e brendshëm të Policisë lidhur me këtë vjedhje.
Ngjarja, sipas raportit që e posedon Demokracia.com, ka ndodhur më datën 20 mars 2023, ndërsa është raportuar të nesërmen më 21 mars.
“Ankuesi Dukagjin Gërvalla ka njoftuar se më datën 20.03.2023 është sistemuar në hotelin “Emerald” rreth orës 20:00 dhe më pas, dikur rreth orës 21:30, ka vazhduar në palestër në katin I të hotelit për të bërë ushtrime, mandej ka kaluar tek xhakuzi dhe në dorë ka pasur të vendosur orën e tij “Harry Winston”, me numër serik 09, pra është pronari i nëntë i asaj ore dhe për të mos e prishur e ka larguar nga dora dhe e ka lënë afër vetes. Pala në fjalë ka harruar orën dhe ka dalë nga palestra. Me datën 21.03.2023 i është kujtuar se nuk e ka orën dhe vlera e saj është mbi 60 mijë euro.”, thuhet në raportin e brendshëm të Policisë, të cilin e posedon Demokracia.com.
Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar prokurorin kujdestar Nazmi Krasniqin.
Prokurori e ka iniciuar këtë rast si ‘Vjedhje e Rëndë”. Ky rast po vazhdon të hetohet nga Njësia e Hetimeve Rajonale të Policisë së Kosovës. /Demokracia.com/
Leave a comment