Saga e licencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës nga Ministria e Sportit, dyshimet për korrupsion të kryetarit Agim Ademi, detyruan zyrtarë të lartë të UEFA’s dhe FIFA’s për të ardhur në Kosovë për një vizitë të jashtëzakonshme. Megjithatë, ata u pritën në objektin e FFK’së nga persona që dyshohen për kurdisje të ndeshjeve e të tjerë që klubet e tyre nuk janë në gjendje aspak të mirë, shkruan Gazeta Metro.
Siç dihet, javë më parë lajmi i dy gazetave prestigjioze në Francë ‘Le Figaro’ dhe ‘Le Parisien’ se klubi i Llapit po dyshohet për kurdisje të ndeshjeve kishte shokuar opinionin kosovar.
Kjo skuadër udhëhiqet nga trajneri Tahir Batatina, i cili qëndronte pranë ushtruesit të detyrës së sekretarit të FFK’së, Taulant Hodaj në takimin me zyrtarët e UEFA’s dhe FIFA’s.
Për dyshimet për kurdisje të ndeshjeve nga Llapi, në Francë thuhet se janë arrestuar nëntë persona, ndërsa edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet.
I pranishëm në këtë takim shumë të rëndësishëm ishte edhe Avni Haxhiu, presidenti i Trepçës.
Vite më parë klubi nga Mitrovica ishte përfshirë në kurdisje të ndeshjes me Fushë-Kosovën ku edhe kishte ngritje të aktakuzës për disa nga zyrtarët e Trepçës.
Gjithashtu, duhet kujtuar se skuadra nga Mitrovica nuk është në gjendje aspak të mirë. Dikur kampioni i Kosovës gjendet në pozitën e tetë në tabelë në Ligën e Parë (Grupi A).
Gjendjen aspak më të mirë në aspektin e rezultateve nuk e kanë as dy të tjerët që u takuan sot me delegacionin e përbashkët të UEFA’s dhe FIFA’s. Fjala është për presidentin e 2 Korrikut, Shaban Baholli dhe atë të Vllaznisë së Pozheranit, Shpend Musa.
Të dyja klubet po luftojnë për mbijetesë në Ligën e Parë (Grupi B), ku me pikë të njëjta nga 17 ndajnë së bashku vendin e tetë dhe nëntë. Vetëm tre pikë më pak ka Arbëria që renditet e fundit.
Të lartcekurit duket se më shumë interes kanë të ‘mbrojnë’ FFK’në para zyrtarëve të UEFA’s dhe FIFA’s, sesa të gjejnë një rrugë zgjidhje për të shpëtuar sezonin.
I fundit, por jo edhe më pak i rëndësishmi është edhe vetë ushtruesi i detyrës së sekretarit Taulant Hodaj.
Një grup ‘opozitar’ i FFK’së vazhdimisht e akuzon atë se po e kryen paligjshëm detyrën e sekretarit gjeneral të FFK’së duke qenë avokat nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhe aksionarë në zyrën e avokatisë ‘Hodaj & Partners’.
Në anën tjetër, në njoftimin e FFK’së për këtë takim nuk është cekur fare që kryetari Agim Ademi është në arrest shtëpiak nën dyshimin për korrupsion në shtëpinë e futbollit kosovar.
Gjatë kësaj kohe janë marrë në pyetje edhe zyrtarë të lartë të FFK’së nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës.
Ata janë intervistuar katër persona nën dyshimet për zhvatje, respektivisht keqpërdorim në pasurinë dhe interesat e FFK’së. Të gjitha këto në njoftimin e FFK’së janë munduar t’i qasen vetëm me ”zhvillimet e fundit rreth FFK-së”.
”Delegacioni fillimisht u takua me nënkryetarin Bakir Burri dhe sekretarin e përgjithshëm, Taulant Hodaj, derisa më pas zhvilluan një takim të përbashkët edhe me përfaqësuesit e klubeve, për të diskutuar shqetësimet e këtyre të fundit në lidhje me procesin e licencimit dhe vështirësitë që po i hasin gjatë këtij procesi.”
”Përfaqësuesit e UEFA-s dhe FIFA-s i dëgjuan me vëmendje të gjitha shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e klubeve, premtuan se do t’i adresojnë ato në organet kompetente dhe me angazhimin e përbashkët të të gjitha palëve shumë shpejt mund të ketë rezultate pozitive në këtë drejtim. Më pas delegacioni i UEFA-s dhe FIFA-s i vazhdoi takimet me akterët tjerë të sportit në Kosovë, po ashtu, në frymën e bashkëpunimit dhe konstruktivitetit,” shkruan ndër të tjerash FFK.
Kujtojmë se delegacioni i përbashkët i UEFA’s dhe FIFA’s ishte i përbërë nga persona shumë të rëndësishëm si Servet Yardimci, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA’s dhe kryetar i Komitetit të UEFA’s për Federatat Kombëtare, Luca Nicola, kryesues i Qeverisjes Kombëtare dhe Institucioneve Globale të UEFA’s dhe Sofia Malizia, menaxhere e qeverisjes së federatave anëtare të FIFA’s.
Të njëjtit thuhet se janë takuar edhe me zyrtarë të Ministrisë së Sportit dhe ministrin Hajrulla Çeku. /gazetametro.net
Leave a comment