Ministrja e Drejtësisë ka reaguar pas kritikave të opozitës rreth deklaratës së saj dje në gjykatë, ku në cilësinë e të akuzuarës i ka kërkuar prokurorit të dorëzohet në lidhje me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në kuvend para 7 vjetësh.
Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se prokuroria dhe gjyqësori do të çlirohen nga ata që i kanë kapur ndër vite.
Sipas saj, deklarata që e bëri në cilësinë e të pandehurës ishte në linjë me të drejtat e saj që njihen me legjislacionin në fuqi “Do të çlirohen pikërisht nga këta që sot bëjnë zhurmë pa përmbajtje, e mbajnë konferenca pa asnjë kuptim. Të njëjtit përmes njerëzve në sistem, jo rrallëherë kanë montuar procese politike të gjykimit ndaj Lëvizjes dhe aktivistëve të saj. Veprimet politike për të cilat jemi gjykuar kanë qenë përherë publike, sikurse deklarata ime në cilësinë e të pandehurës në linjë me të drejtat e mia që njihen me legjislacionin në fuqi”, ka shkruar Haxhiu.
Haxhiu madje tha se opozita po e kujdestaron çdo fjalë të saj, vetëm për të krijuar situata, por sipas saj, kujdestaria e tyre nuk e zbeh punën e kësaj ministrie, megjithatë shtoi se do të jenë edhe më të kujdesshëm.
“Thirrja ime e vazhdueshme është që prokurorët të ushtrojnë detyrën me profesionalizëm dhe të heqin dorë nga përndjekjet politike, sikurse po bëhet tash e 7 vite. Kritika ime është e zëshme dhe e hapur. Jam përjetësisht e hapur për të dëgjuar kritikat e opozitës apo kujtdo tjetër, por në mungesë të tyre, opozita kujdestaron ndaj çdo fjale timen, vetëm sa për të krijuar një situatë, për të shprehur mllef… Kujdestaria juaj nuk e zbehë punën tonë, e ne gjithsesi do të jemi edhe më të kujdesshëm”, ka shtuar Haxhiu.
Sipas saj, mbase edhe kanë të drejtë, pasi, sic thotë ajo, metodat njëzetvjeçare të opozitës për kërcënime dhe pazare nën tavolinë nuk gjenden në Qeverisjen Kurti.
“Prandaj, ka zëra të tillë që sulmojnë sepse brenda dy viteve të mandatit qeverisës kemi ndërmarrë nisma reformuese me qëllim të fuqizimit dhe kthimit të besimit qytetarë në institucione. Me këto iniciativa përfundimisht shteti i Kosovës do të kalojë në një nivel tjetër më të lartë sa i përket drejtësisë”.
Ajo tha se Kosova do të bëhet vend ku nuk blihet gjyqtari a prokurori, e nuk caktohet nga politika e nuk përndjek me urdhra të saj. “Ndërkohë që askush nuk mund të pasurohet në emër të politikës apo nga ushtrimi i detyrës zyrtare. Krimi, korrupsioni, mitoja, haraçi nuk do të jenë më fjalët kyçe në Kosovë e as të ndonjë raporti të huaj ndërkombëtar siç ishin për 20 vite”, ka vazhduar Haxhiu
Leave a comment