3 Maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Organizata Gazetarët pa Kufij, në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit, radhitur Kosovën dhe Shqipërinë në mesin e vendeve problematike. Megjithatë sipas indeksit që u publikua të martën, edhe Shqipëria, edhe Kosova kanë shënuar rritje në krahasim me një vit më parë.
Në treguesin që përfshin 180 vende, Kosova radhitet në vendin e 56-të, një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin e kaluar kur radhitej në vendin e 61-të, ndërsa një vit më herët ishte në vendin e 78-të.
Shqipëria radhitet në vendin e 96-të, duke shënuar një rritje prej 7 vendesh krahasuar me një vit më parë kur radhitej e 103-a. Në vitin 2021, Shqipëria radhitej në vendin e 83-të.
Në raport thuhet se Prokuroria vendosi kufizime disproporcionale për mbulimin e sulmit kibernetik nga Irani.
Serbia, ku sipas raportit mediat pro-qeveritare përhapin propagandën ruse, radhitet këtë vit në vendin e 91-të, duke pësuar rënien më të thellë (me 12 vende) në rajonin që përfshin Bashkimin Evropian dhe Ballkanin, raporton VoA.
Konferenca rajonale: Rusia dhe Serbia janë burime kryesore disinformimi në Ballkanin Perëndimor
Maqedonia e Veriut (e radhitur në vendin e 38-të) dhe Mali i Zi (në vendin e 39) janë në grupin e vendeve me gjendje “pak a shumë të mirë”, ose të kënaqshme. Maqedonia e Veriut ka pasur një rritje me 19 vende nga viti i kaluar, ndërsa Mali i Zi një përmirësim me 24 vendem raporton VoA.
Bosnja, e radhitur në vendin e 64 ka një rritje prej tre vendesh në krahasim me një vit më parë.
Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit i organizatës Gazetarët Pa Kufij, arrin në përfundimin se situata është “shumë e keqe” në 31 vende, “e keqe” në 42 vende, “problematike” në 55 dhe e “mirë” ose “mjaft mirë” në 52 vende. Kjo do të thotë se mjedisi për gazetarinë është i keq në shtatë nga dhjetë vende, dhe i kënaqshëm vetëm në tre nga dhjetë vende.
Leave a comment