Më 10 korrik në Bratisllavë kryenegociatori Besnik Bislimi dhe emisari i BE-së Miroslav Lajçak u dakorduan për katër hapat që do të ndiqen për t’u ulur tensionet në Veri. Hapi i parë dhe i dytë kanë të bëjnë me reduktimin e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale.
Përveç 12 korrikut kur nisi reduktimi i 25 përqindshit të parë, sot do të nisë edhe largimi i 25 për qind të policëve të tjerë në dhe rreth ndërtesave komunale.
“Policia e Kosovës në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore. Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri”, ka njoftuar Policia.
Leave a comment