Më 24 mars 1999 filluan bombardimet e NATO-s mbi ish-Jugosllavinë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ishte duke e përgatitur një fjalim për t’iu drejtuar popullit serb.
Fjalimi ishte i rëndësisë së veçantë dhe për këtë shkak kishte marrë informacione edhe nga CIA.
Demokracia.com ka siguruar dokumentin e datës 25 mars 1999, ku paraqiten komentet e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) për fjalimin e presidentit Clinton drejtuar popullit serb.
Në këtë dokument thuhet se qytetarët serbë ishin ankuar se njerëzit e tjerë nuk e dinin se edhe vetë ata po vuanin nga politikat e Sllobodan Millosheviqit.
Gjithashtu, serbët ishin ankuar se në regjimin e Millosheviqit ishin bërë luftëra të pakuptimta, të cilat kishin ndikuar në shkatërrimin e ekonomisë dhe e kishin vështirësuar jetën e tyre.
“Ka disa pika në draft, ku fjalimi i presidentit mund t’i përgjigjet kësaj – së bashku me përforcimin e pikës se serbët që vuajnë janë për shkak të politikave të Millosheviqit. Fundi i faqes 1: Ai bëri luftëra të pakuptimta në Bosnje dhe Kroaci, të cilat përfunduan vetëm pas një gjakderdhjeje të madhe nga të gjitha anët. Politikat e tij ekonomike të korruptuara dhe të vjetruara kanë ulur përgjysmë ekonominë serbe dhe e kanë kthyer jetën e përditshme në një luftë”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Demokracia.com.
Në këtë dokument, po ashtu, flitet edhe për fillimin e spastrimit etnik në Kosovë.
“Një në tetë persona në Kosovë janë përzënë nga shtëpitë e tyre, fshatra të tëra janë djegur dhe pastruar nga njerëzit e tyre. Mjëra serbë gjithashtu kanë vuajtur në këtë konflikt dhe janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre”, thuhet tutje në dokumentin e CIA’s.
Leave a comment