Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, njëherit kryenegociator i Kosovës në Bruksel, ka thënë se marrëveshja për targa që u arrit në Bruksel më 23 nëntor të vitit të kaluar ka një afat kohor.
Sipas Bislimit, edhe në deklaratën e publikuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, thuhet se marrëveshja vlen deri në takimin e radhës të grupit special për normalizim.
“Më 23 nëntor, është arritur dakordimi që palët me urgjencë të merren me diskutim për propozimin franko-gjerman, propozimin e BE-së me mbështetje të Francës e Gjermanisë, që të krijohet atmosfera për diskutim serioz. Marrëveshja është bërë që t’i pamundësohet Serbisë që përmes tensioneve në terren të zhvendosë fokusin nga diskutimi për planin franko-gjerman e të detyrojë BE-në të merret me menaxhimin e krizave ditore. Nuk ka nënshkrim të asnjë dokumenti. Dokumenti i publikuar nga z. Borrell është dokumenti i dakorduar mes palëve. Dy lemente janë me rëndësi. E para dokumenti ka afat kohor, thotë deri në takimin e radhës të Grupit Special për Normalizim. Ne kemi pranuar këtë formulim, pasi paraprakisht kemi insistuar në marrjen e ftesës nga z. Lajçak për takimin e Grupit Special të Normalizimit për fund të marsit të vitit 2023. Do të thotë se kur z. Kurti flet për kufizimet kohore për caktimin e marrëveshjes, kjo ka të bëjë me datën për caktimin e takimit të Grupit Special për normalizim, që është në fund të marsit të këtij viti”, tha Bislimi.
Ai ka folur edhe për pikën e dytë që i përket targave ilegale të lëshuara nga Serbia me akronim të qyteteve të Kosovës.
“Me marrëveshjen e Brukselit nuk lejohet që Serbia të lëshojë targa të tjera ilegale e po ashtu të mos riregjistrojë ato ekzistuese. Ajo që ka bërë Serbia, me idenë që po negociojmë në keqbesim, që edhe ka qenë logjika e Serbisë nëpër negociata, është se pastaj mund të marrin vendim në Qeveri e të heqin nevojën për riregjistrimin për targat ilegale KM. Mendojnë se me këtë i ikin marrëveshjes. Por, siç ka thënë ministri Xhelal Sveçla, ata mund të luajnë me vendime në Qeveri të tyre, por nuk lejohet hyrja në Kosovë. Një veturë që arkullon brenda Kosovës pa regjistrim do të konfiskohet e do të ketë gjobë 150 euro për shoferin. Vetura largohet nga qarkullimi deri në momentin kur evitohet shkelja”, ka thënë Bislimi, duke akuzuar kryenegociatorin serb Petar Petkoviq për gënjeshtra.
Bislimi ka folur edhe për deklaratat e fundit që tha në Kuvendin e Serbisë, presidenti Aleksandar Vuçiq.
“Vuçiqit iu tha nga opozita atje se nuk ka negociuar mirë. Por, ai u kundërpërgjigj duke thënë se e ka negociuar Asociacionin aq mirë, sa që edhe vetë deputetët e Kosovës e pranojnë se është një litar rreth qafës së Kosovës. Ai mburret se me marrëveshjen ia ka vënë Kosovës një litar rreth qafës”, ka thënë Bislimi.
Leave a comment