Bashkësia Islame e Kosovës(BIK) ka mbledhur mbi 400 mijë euro për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti në Turqi.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava vizitoi sot Ambasadën e Republikës së Turqisë në Kosovë ku njoftoi se në llogarinë bankare të kësaj ambasade u transferuan mjetet e mbledhura.
“Myftiu Tërnava fillimisht i dëshiroi ambasadorit punë të mbarë dhe të suksesshme në misionin e ri. Më pas, në emër të tij dhe në emër të gjithë besimtarëve myslimanë, i shprehu ngushëllime për viktimat e tërmetit që goditi Turqinë disa ditë më parë. Ai shprehu dhimbjen dhe solidaritetin e tij me të gjithë të prekurit nga ky tërmet, duke lutur Zotin që të lënduarit t’i shërojë sa më parë, ndërsa të vdekurit, Zoti t’i ketë marrë me mëshirën e Tij. Me këtë rast, Myftiu Tërnava, tha se besimtarët tanë, gjatë aksionit që kemi organizuar në të gjitha xhamitë e Kosovës kanë grumbulluar 400,500.00 euro, si mbështetje materiale për të prekurit nga tërmeti, të cilat u transferuan sot në llogarinë bankare të Ambasadës”, thuhet në njoftimin e BIK.
Po ashtu bëhet e ditur se ambasadori turk në Kosovë Tunç Angılı falënderoi Myftiun Tërnava për vizitën dhe për solidaritetin e treguar të besimtarëve myslimanë të Kosovës me të prekurit nga tërmeti.
Leave a comment