Besnik Mujeci, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, është arrestuar dje në Shqipëri bashkë me katër persona të tjerë nën dyshimet për trafikim me narkotikë.
Gjatë operacionit të Policisë së Shtetit u sekuestruan gjithsej 11 mijë e 300 tableta ekstazi MDMA, me vlerë tregu rreth 400 mijë euro.
Mujeci, së bashku me katër persona të tjerë, Mithat Ramadani po ashtu banues në Prishtinë dhe Kalem Picari, Ambra Myftari dhe Daniel Avdija, të tre banues në Tiranë, dyshohet se kanë kaluar drogën nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë.
Burime të KALLXO.com brenda Prokurorisë së Shtetit në Shqipëri kanë bërë me dije se dy personat e arrestuar, shtetas të Kosovës, nuk do të ekstradohen në Kosovë.
Po ashtu, burimet kanë treguar se në vijim do të kërkojnë edhe informata shtesë për këta dy persona nga autoritetet e Kosovës.
Sipas Policisë së Shtetit, fluksi i sezonit turistik në Shqipëri këtë verë u shfrytëzua edhe për trafikim të drogës nga Kosova në Shqipëri.
Droga u tha se transportohej përmes linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë.
Policia e Shtetit ka njoftuar se pasi droga arrinte në Tiranë, ajo transportohej me vetura të marra me qira.
Transportimi bëhej në kryeqytet e edhe në qytete të tjera, kryesisht vende bregdetare.
Nga veprimet policore që u ndërmorën është dëshmuar se vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish.
“Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci” – thuhet në njoftim të Policisë së Shtetit.
Përpos tabletave të ekstazisë MDMA, Policia e Shtetit gjatë aksionit ka sekuestruar edhe një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet si dhe 5 telefona.
Pas këtij rasti, Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar Besnik Mujecin nga partia.
Leave a comment