Thënie nga: Alejandro Jodorowsky
Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti
– Një ditë, dikush më tregoi një gotë me ujë të mbushur përgjysmë. Dhe ai tha: “A është gota gjysmë plot apo gjysmë bosh?” Kështu unë piva të gjithë ujin. S’kishte më asnjë problem.’
– Zgjimi nuk është një gjë. Ai nuk është një qëllim, nuk është një koncept. Nuk është diçka që duhet arritur. Është një metamorfozë. Nëse krimbi do të mendonte se ç’flutur e bukur do të bëhej, duke thënë “dhe pastaj do të kem krahë dhe antena,” ajo nuk do të bëhej kurrë flutur. Krimbi duhet të pranojë zhdukjen e vet gjatë transformimit. Dhe kur flutura e mrekullueshem i zë asaj vendin, nuk mbetet më asgjë nga krimbi.
– Ajo që përpiqem të bëj kur përdor simbole është që të zgjoj pavetëdijen tuaj. Jam shumë i vetëdijshëm mbi atë që po bëj sepse simbolet mund të jenë të rrezikshme. Kur ne përdorim gjuhën normale mund të vetëmbrohemi sepse shoqëria jonë është një shoqëri gjuhësore, një shoqëri semantike. Por, kur filloni të flisni, jo me fjalë, por me imazhe, njerëzit nuk mund të vetëmbrohen më.
– Shumica e regjisorëve i bëjnë filmat më sytë e tyre; unë i bëj filmat me testikujt e mi.
– Unë nuk jetoj në Francë; jetoj brenda vetes time.
– Lejoni që Zoti juaj i brendshëm t’ju flas, secilit prej jush. Tempulli është trupi yt, dhe prifti është zemra jote: nga këtu fillon çdo vetëdije.
– Dashuria është një shkëmbim heshtjesh.
– Urithi është një kafshë që gërmon rrugëkalime në kërkim të diellit. Ndonjëherë, ai arrin në sipërfaqe. Por, kur shikon diellin verbohet.
– Situatat më të këqija groteske: të besosh se e njeh vetveten, të besosh se di diçka mbi një tematikë, të besosh se dikush ka gjykuar me paanësi absolute, të besosh se do të dashurosh dhe të të dashurojnë përgjithnjë. Në bashkëbisedim, njerëzit mendojnë vetëm për një gjë, dhe në përpjekje për ta komunikuar atë, ata thonë diçka tjetër. Interlokutori dëgjon vetëm një gjë, por kupton diçka tjetër. Kur përgjigjet, nuk përgjigjet mbi pyetjen që i është bërë, apo mbi atë që ka thënë dikush tjetër, po atë që kuptohet. Rezultati përfundimtar: një bashkëbisedim ndërmjet njerëzish të shurdhët, të cilët, madje, nuk dinë as të dëgjojnë vetveten.
– Kur ta gjeni dashurinë, dashurinë e vërtetë, është si një katastrofë, si një cunami. Si një tërmet, sepse i gjithë individualiteti yt, gjithçka që besoje se ishe, thyhet, ti je një njeri tërësisht i ri. Ti nuk e dije kurrë se çfarë ishe. Dhe është katastrofë – por një katastrofë e mirë, jo një katastrofë e keqe.
Leave a comment