Lajme

Arrestohen policët e përfshirë në plagosjen e qytetarit në Leposaviq

Katër policët e dyshuar për përfshirjen për plagosjen e një qytetari të nacionalitetit serb në Leposaviq janë arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur nga burime të Demokracia.com.

Demokracia.com mëson se ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.

Pak më parë Demokracia.com raportoi se katër të dyshuarit F.M, K.P, S.U dhe M.M, pjesëtarë të Njësisë Speciale Operative të cilët po dyshohen për plagosjen e qytetarit, janë duke u intervistuar nga hetuesit e IPK-së.

Ata gjatë ditës ishin suspenduar nga Policia e Kosovës.

Policia sot ka njoftuar se janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk ka raportuar lidhur me përfshirjen e tij në këtë rast dhe bashkë me të janë suspenduar edhe tre zyrtarë tjerë të mundshëm të përfshirë në rast.

“Njëkohësisht Policia e Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me Inspektoratin Policor dhe Prokurorin e Shtetit, me qëllim që të vazhdojë të mbajë përgjegjës zyrtarët policorë, të cilët nuk përkojnë dhe veprojnë sipas standardeve më të larta etike dhe profesionale”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Plagosja e qytetarit ngjalli reagime të shumta në Kosovë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka deklaruar të martën se ShBA-të janë të shqetësuara për një incident në të cilin një serb i Kosovës u qëllua mbrëmë në Zveçan.

Ai shkroi në Twitter se zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar i bërë pa kujdesin e duhur”, shkroi diplomati amerikan.

Sipas tij, të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e zbatimit të ligjit dhe sektorit të drejtësisë.

“Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, shtoi Hovenier.

Edhe Bashkimi Evropian ka reaguar pas plagosjes në Zveçan.

Nëpërmjet një njoftimi thuhet se BE-ja dënon incidentin që ndodhi mbrëmë pranë pikës së kontrollit të Policisë së Kosovës në urën e e Bistricës në komunën e Zveçanit.

“BE-ja në Kosovë dënon incidentin e sigurisë në të cilin një serb i Kosovës u qëllua dhe u plagos mbrëmë pranë pikës së kontrollit të Policisë së Kosovës në urën e Bistricës në komunën e Zveçanit”, thuhet në njoftimin e tyre në Twitter.

Kujtojmë se për këtë rast ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara që fillimisht u mohua krimi teksa kërkojnë hetim të plotë nga policia për këtë rast.

Edhe pse policia fillimisht e kishte mohuar të jetë e përfshirë në këtë incident, në pasditen e së martës kanë thënë se kanë suspenduar gjithsej katër zyrtarë policorë të dyshuar për përfshirje në këtë rast.

“Policia e Kosovës, lidhur me rastin ndodhur në orët e vona të datës 10.04.2023 në veri të vendit, ku nga arma e zjarrit ishte plagosur një person, ka vazhduar hetimet intensive me njësitet relevante policore nga niveli rajonal dhe ai qendror, me qëllim të hetimit dhe ndriçimit sa më parë të këtij rasti. Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri.”, thuhet në komunikatën e policisë. /Demorkacia.com/

Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Articles

activeBallinaLajme

Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e rikonfirmon përkushtimin e saj...

activeBallinaLajme

Tentim vrasje në Pejë, policia jep detaje

Të shtunën pas mesnate rreth orës 01:25 ka pasur të shtëna me...

Lajme

FOTO: Katër sekrete për një fizik të jashtëzakonshëm nga Jennifer Aniston

Jennifer Aniston ka zbuluar së fundmi për mediat se çfarë gjërash bën...

Lajme

A janë të dobishme thashethemet në punë? Ja si duhet ti trajtoni bisedat me kolegët dhe të shmangni keqkuptimet mes jush

Le ta pranojmë të gjithë, thashethemet konsiderohen kripa dhe piperi i vendit...