Policia e Kosovës, ka njoftuar se ka pranuar një numër të konsiderueshëm të lëndëve për hetim të dërguara nga Ambasadat në Kosovë, që ndërlidhen me veprimet e qytetarëve gjatë aplikimit për pajisje me viza, me dokumente të falsifikuara.
Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët e Kosovës që të mos bien pre e personave të pandërgjegjshëm dhe të dorëzojnë dokumente të falsifikuara gjatë aplikimit për pajisje me vizë.
Disa nga dokumentet e falsifikuar më së shpeshti sipas policisë janë.
– Falsifikimi i certifikatës së gjuhës gjermane
– Falsifikimi i dokumentit të Trustit – kursimeve pensionale
– Falsifikimi i dokumentit – pasqyrës bankare
“Referuar kësaj, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që të mos bien pre e personave të pandërgjegjshëm dhe të marrin mbi vete përgjegjësinë e prezantimit të dokumenteve të falsifikuara tek institucionet përkatëse, pasi që në këtë mënyrë bien ndesh me ligjin dhe kryejnë vepër penale për të cilën do të japin përgjegjësi para organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Si pasojë, ka paralajmëruar Policia, qytetarët mund të përballen me pasoja në të ardhmen për udhëtime jashtë vendit dhe me pasoja ligjore që parashihen me Kod Penal për falsifikim dokumentesh.
Sipas nenit 390 të Kodit Penal, kushdo që përpilon dokument të falsifikuar, ndryshon dokumentin origjinal, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal ose me dije përdor dokumentin e falsifikuar apo të ndryshuar si origjinal, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër vjet.
Leave a comment