Anëtari i Bordit të RTK-së, Biroll Urcan, e ka pëlqyer një postim në rrjetin social Facebook, ku bëhet thirrje për arrestimin e gazetarit Valon Syla.
Në këtë postim bëhet thirrje që Syla “të dënohet për nxitje të urrejtjes fetare dhe mosdurimit”.
“Çmenduri e prokurorisë dhe gjykatës. Në vend se Valon Syla të dënohet për nxitje të urrejtjes fetare dhe mosdurimit e sulmuesit e tij të dënohen për sulm fizik, gjykata paska lënë të lirë Valonin ndërsa sulmuesit e tij qenkan dënuar për “nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit”. O prokuror idiot, e gjykatës idiot, urrejtjen dhe mosdurimin e ka nxitur Valon Syla, kurse sulmuesit nuk e kanë nxitur por e kanë shprehur mosdurimin në mënyrë të palejueshme ndaj urrejtjes që ka nxitur pikërisht viktima e tyre. Këtu të dy palët duhet të jenë në burg. E me qenë krejt puna paq, prokurorit e gjykatësit ish dashtë me iu marrë diploma”, është postimi i Nexhmedin Spahiut, që e ka pëlqyer anëtari i Bordit të RTK’së, raporton Express.
Gazetari Valon Syla rreth mesnatës u sulmua nga disa persona në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Ai pësoi lëndime në kokë dhe pas trajtimit mjekësor, nga QKUK-ja tha se sulmuesit ishin “tre islamikë fanatikë”.
Syla paraprakisht ishte në emisionin Pressing në T7, ku është analist. Temë diskutimi ishte debati që ka shkaktuar nisja e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale Hagë.
Sulmin e dënoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, por edhe organizata më e madhe e gazetarëve në Europë.
Leave a comment