Këshilli Evropian ka njoftuar se ia ka zgjatur edhe për një vit mandatin shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Sipas njoftimit të së enjtes, mandati i ri i Szunyog do të përfundojë më 31 gusht 2024. Ai ishte emëruar si Përfaqësues Special i BE-së për Kosovën më 1 shtator 2020. Mandati i tij përfshin detyrën e ofrimit të këshillave dhe mbështetjes së BE-së në procesin politik dhe promovimin e koordinimit të përgjithshëm politik të Unionit në Kosovë.
Përveç Szunyog, Këshilli Evropian ia ka vazhduar mandatin edhe për një vit Johann Sattlerit në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa Toivo Klaar u emërua për Kaukazin e Jugut.
Përfaqësuesit Specialë të BE-së propozohen nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, për të promovuar politikat dhe interesat e BE-së në rajone dhe vende të veçanta si dhe për t’i siguruar BE-së një prani politike aktive në ato zona.
Leave a comment