Lajme

Ambasador Rohde, përmbaju misionit tuaj, nuk je as prokuror e as gjykatës!

 

Protesta si hyrje në një demokraci të munguar: Me 2 prill 2023 sheshet dhe rrugët e Prishtinës u mbushën me qytetarë dhe qytetare të Kosovës dhe viseve tjera ku jetojnë shqiptarët, me pjesëtarë të pakicave shtetpranuese dhe shtetndërtuese, të të gjitha moshave, të të gjitha besimeve por që kishin një besim dhe qëllim të vetëm..Marshimi për Drejtësi për uddhëheqësit më të lartë të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës sikur që ishin ndërtues dhe mirëmbajtës të paqes duke qenë në postet më të larta shtetërore; Hashim Thaçi, ishte kryetar i PDK-së,  kryeministër, ministër për punë të jashtme dhe president, Jakup Krasniqi, kryetar Kuvendi, ministër i pushtetit lokal dhe u.d. i presidentit të Kosovës, Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i PDK-së dhe Rexhep Selimi ishte kryetar i GP të LVV-së e që tash po mbahen peng nga politika ndërkombëtare dhe një pjesë e politikës vendore në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës Speciale Raciste në Hagë. Gjykimi ndaj tyre dhe UÇK-së ka filluar më 3 prill 2023 në Hagë ku, në të njëjtën kohë protestonin me mijra shqiptarë nga shtetet evropiane por edhe nga Kosova që ju e keni trajtuar si shtet afrikan në Evropë duke e mbyllur kur edhe shteteve me kriminalitet të noterizuar me vulë apostile nga Tribunali për Krime Lufte për ish-Jugosllavi për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid siç ishte Serbia ia hapët të gjitha dyert, e forcuat jashtëzakonisht shumë ekonomikisht dhe e rehabilituat politikisht. Sidomos shteti nga jeni ju, ambasador Rohde, që nga kanceralja Merkel e deri te kancelari Sholc nuk mund të lavdëroheni me asnjë investim të madh në Kosovë, asnjë vend të hapur pune përveç presioneve që i keni bërë sidomos për themelimin e Gjykatës Speciale Raciste dhe tash presionin që ia bëni Albin Kurtit të pranojë çdo gjë që parashihet në planin famëkeq franko – gjerman e që për qëllim të fundit e ka forcimin e varshmërisë së Kosovës ndaj Serbisë, pavarësisht se si do të quhej kjo lidhje. Aq shumë e keni trembur Albin Kurtin sa që e keni bërë për t’i shkruar hajmali te hoxha. Në Serbi 85,000 vende pune marrin pagë nga Gjermania dhe shkëmbimi i mallrave është disa miliarda euro. Nëse mundeni më dematoni me shifra krahasuese të përkrahjes së Gjermanisë që ia ka bërë Serbisë dhe sa ia ka bërë Kosovës. Nuk e  keni asnjë argument. Prandaj, mos tregoni përralla dhe mos na moralizoni sepse nuk ka proces në Kosovë, pavarësisht a është në përputhje me mandatin e ambasadorit e që ju detyron Konventa e Vjenës e që nuk  i fusni hundët apo që nuk e kriposni, deri në vjellje. Sidomos së fundi, pasi filloi gjykimi dhe pas marshit, marsheve madhështore për drejtësi të munguar. Nuk është përgjegjësi e juaja të thoni se në Hagë po gjykohen individët e jo UÇK-ja, nuk jeni as hetues, as prokuror e as gjykatës që të jepni një përkufizim dhe përfundim të një procesi që ende nuk ka përfunduar duke e paragjykuar vet epilogun e procesit. Ju jeni komentues kujdestar, bashkë me disa ambasadorë tjerë e që më të eksponuar janë ai i Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë me deklarata me shumë kuptime sikur që është teksti i marrëveshjes famëkeqe franko – gjerman që e keni mbështjellur me një tis evropian duke ia bashkuar edhe përkrahjen amerikane. Ju po kërkoni nga ne që të mendojmë dhe veprojmë si Albin Kurti, Vojsa Osmani, Glauk Konjufca dhe një ministre që, sa i përket denoncimeve ndaj UÇK-së dhe krerëve të arrestuar, aspak nuk dallon nga Drecuni i Serbisë. Ju doni të na bindni t’i besojmë dhe t’i  bindemi një mashtruesi injorant që kinse e përfaqëson Kosovën në bisedime dhe i cili, pa kërkuar askush nga ai  në kohën kur Vuçiq haptasi deklaron se ka vendosur të mos i vendosë sanksione Rusisë, i duket pak që ia fut sanksionet Rusisë por këtë e ripërsërit në vazhdimësi, pa kërkuar askush nga ai, pa pasur asnjë mundësi t’i konkretizoi ato sanksione ekonomike, duke e shndërruar veten në një palaço të thjeshtë. Me kësi persona ju e luani lojën por më 2 prill 2023 e morët porosinë e qartë ju sikur edhe këta të cilëve ua keni bërë birën e miut 300 grosh se mund të nënshkruani çka të doni por se nuk do të pranohet ashtu si e keni paketuar. Kanë kaluar 25 vjet pas përfundimit të luftës dhe mbi 1600 familje, në ankthe presin lajme për më të dashurit e tyre. Çka keni bërë ju që të sigurohen informata për të pagjeturit?! Asgjë fare, në emër të projekteve politike po e luani lojën e strucit. Sa serbë janë dënuar për mbi 10.000 civilë të vrarë në Kosovë dhe sa shqiptarë? Nuk doni ta dini, jeni nun i Aleksandar Vuçiqit të cilit i bëni asi lëshimesh që as vet Vuçiqi nuk i ka imagjinuar, krejt në emër të largimit nga Rusia. Me mosveprimin tuaj, apo më mirë të them me përkrahjen e hapur që ia bëni Vuçiqit dhe Serbisë, shërbimin më të madh po ia bëni Rusisë. Rusia dhe Serbia u betonuan në Republika Srpska, në Kosovë bëjnë çka të duan me politikanë pa kurriz dhe pa dinjitet, Malin e Zi me ndihmën e një kolaboracionisti Abazoviq e kthyen në Serbi duke ia dorëzuar shtetësinë e Malit të Zi, Kishës ortodokse serbe dhe forcave çetnike serbe. Nëse e keni dëgjuar fjalimin e presidentit të zgjedhur të Malit të Zi pasi e fitoi mandatin atëherë nuk e keni vështirë të konstatoni se Mali i Zi është Serbi apo jugosllavenska Crna Gora, Mali i Zi i Jugosllavisë. Flamujt ishin të Malit të Zi, të Serbisë ndërsa këndoheshin këngët për Kosovën serbe. Pas një viti në Maqedoni të Veriut do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe, ka të ngjarë që VMRO – DPMNE e Gruevskit të fitojë midis 55 – 60 përqind të votave. Me këtë, me përkrahjen tuaj po jetësohet formimi i Botës Serbe.

Protesta kishte një porosi për përkujtim: Dy herë jam dënuar politikisht në ish-Jugosllavi 3 +12 vite prej të cilave afërsisht 9 vite i kam mbajtur në burg. U liruam më herët shkaku se Franjo Tuxhman, pas shpalljes së pavarësisë së Kroacisë i liroi të burgosurit politikë! Që nga qershori i vitit 1990 kur jemi liruar, në Kosovë dhe në Prishtinë nuk ka pasur protestë më të madhe, më të fuqishme, se protesta e vitit 2023 e muajit prill të datës 2. Nuk ka pasur protestë më të qetë ku nuk ka pasur asnjë akuzë ndaj askujt madje as ndaj Gjykatës Raciste Speciale. Ky numër aq i madh i protestuesve, pa asnjë dyshim ka në vete masën kritike që nuk do të lejojë që Kosova të trajtohet si koloni e Serbisë e as që politikanët karrieristë dhe të papërgjegjshëm të nënshkruajnë marrëveshje që e dëmton palcën kurrizore kombëtare. Gjykatën Speciale Raciste e keni themeluar në kushte të një terrori psikik, shantazhit dhe kërcënimeve. Këtë e them sepse kam qenë dëshmitar okular i zhvillimit të ngjarjeve në Kuvendin e Kosovës. Këtë po e thonë publikisht tash edhe ish-ambasadorë të shteteve të ndryshme, të liruar nga frika e humbjes së vendit të punës dhe privilegjeve. Për më keq, edhe pas votimit për themelimin e kësaj gjykate, që nuk ka rast të njëjtë në historinë e gjykatave të këtij profili, me mashtrime, kërcënime, shantazhe dhe kushtëzime keni arritë ta plaçkitni tërë sovranitetin e Kosovës mbi pronësinë e kësaj gjykate. Më tregoni, përveç se dhunshëm është votuar në Kuvendin e Kosovës, me çka kjo gjykatë identifikohet si pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës?! Në mënyrën më të paskrupullt keni mashtruar deputetët e Kosovës, opinionin e Kosovës si dhe institucionet e Kosovës për mandatin e kësaj gjykate që e keni shtrembëruar deri në keqpërdorim dhe kush do të besojë se të akuzuarit do ta kenë një proces të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar nga politika dhe grupet e interesit. Keni krijuar raporte kushtëzimi dhe klientelist me disa politikanë, disa media dhe disa mbetje politike dhe mediatike të cilët, babë dhe babëgjysh kanë qenë në shërbim të Jugosllavisë dhe të Serbisë, tash të shndërruar në milionerë të qelbur. Gjykata Speciale dhe Raciste, me përkrahjen tuaj po përpiqeni kot ta rishkruani historinë, ta modeloni duke ia përshtatur projekteve politike, ta bëni Serbinë xhandar të Ballkanit me politikanë kosovarë, pa kurriz dhe pa dinjitet, duke mohuar krimet dhe vuajtjet e popullit shqiptar dhe duke barazuar krimet që ndodhën në luftën e fundit.

Lojë e fëlliqët, që nga fillimi: Inicimi i Gjykatës Speciale ishte angazhim i Serbisë dhe Rusisë përmes një bastardi të korruptuar e që e kishte imunitetin e deputetit evropian. Kosaçev dhe Dik Marti, me Aleksandar Vuçiqin, Ivica Daçiqin, Vulinin, Drecunin, Komandant Gurin që masakroi familjen Jashari në Prekaz dhe vëllezërit Bytyçi, ushtarë të UÇK-së nga Amerika, të ndihmuar nga disa shqipfolës shpikën Shtëpinë e Verdhë ku kins trafikoheshin organet e robërve serbë dhe të tjerë sikur të ishin në Klinikën Majo në Amerikë. Kjo bombë – trafikimi i organeve u përdorë si zhurmues për të heshtur të gjitha shtetet që do të kundërshtonin hetimin dhe Rezolutën e propozuar nga krimineli Dik Marti, pas së cilës dhunshëm u themelua Gjykata Speciale Raciste dhe, për “çudi” më askush nuk e përmend trafikimin e organeve. Ky ishte mashtrimi i madh, sa për ta themeluar një gjykatë. Shqiptarët ranë në këtë kurth, nuk patën dije e as guxim ta kundërshtojnë këtë monstër juridike. Dje, njëri nga prokurorët e përmendi Komandantin Legjendar, Adem Jashari që paska organizuar sulmin ndaj 12 stacioneve policore që ushtronin dhunë shtetërore ndaj shqiptarëve. E çka do të duhej të bënte Adem Jashari me policët, paramilitarët dhe ushtarët serbë? T’iu shpërndante lule në kohën kur kishte vendosur që, me familje dhe bashkëluftëtarë të bënte luftë për çlirim nga Serbia. Adem Jashari, Hashim Thaçi dhe të tjerët u patën dënuar me burg në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë e ku isha edhe unë i pranishëm, si monitorues. Luftëtarët e lirisë, jo vetëm në Kosovë e kishin mision luftën dhe asgjë tjetër. Çka bënë luftëtarët e rezistencës franceze, luftëtarët e Mbretërisë së Bashkuar, amerikanët, jugafrikanët, kinezët, rusët dhe shumë popuj të robëruar gjatë luftës së dytë botërore përveç se luftuan, deri në fitore. Në procesin e Nyrembergut dhe të Tokios a u gjykua dhe a u dënua dikush nga ta për krime lufte ndonëse kishin bërë krime në Hungari, Poloni, Rumani, Bullgari, Shqipëri dhe shtetet tjera! Asnjëri, as sa për simbolikë! Thuaja të gjithë drejtuesit ushtarakë dhe politikë të UÇK-së kanë kaluar në procedura hetimore në Tribunalin e Hagës, gjykatat e UNMIK-ut dhe të EULEX-i, Gjykatën Speciale Raciste në Hagë, disa edhe në Serbi prandaj është e papërgjegjshme të thuhet se nuk po gjykohet UÇK-ja por individët. Këto përralla që i thoni janë për veshët e Albin Kurtit, Vojsa Osmanit, Glauk Konjufcës, Donika – Katran (Shvarc) Gërrvalla, Besnik Muçivërca dhe të tjerë sepse e duan këtë muzikë që iu siguron pushtet, pa përgjegjësi dhe pa asnjë detyrim ndaj qytetarit përveç ndaj juve, Borrellit dhe Llajçakut. Në këtë nivel kanë rënë! Unë kurrë nuk do ta besoja, së paku për Albinin dhe Glaukun. Të tjerët janë të baushtellës njerëzore, politike, intelektuale, kombëtaren nuk ma lejon ndërgjegja ta përmend.

Prandaj, siç e thotë edhe vartësi juaj, Albini, mos dilni para qerres, mbajeni një rend. Siç po ecën punët, përshkallëzimi i situatës në Kosovë është i pashmangshëm, protesta e 2 prillit 2023 ishte paralajmërim. Ju po na ofroni liri të kufizuar, lëvizje të kufizuar, vendimmarrje të kufizuar, këto ofrohen edhe në burgjet e Kosovës!

Tash, nuk ju ka mbetur tjetër gjë veç se arkivolet e Bacës Adem Demaçi, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Ilaz Kodrës, Remzi Ademajt, Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, Hafir Shalës dhe Xhavit Hazirit, Komandantit Legjendar Adem Jashari, Hamëz Jashari, Shaban Jashari, Agim Ramadani, Shaban Shalës dhe të gjithë luftëtarëve dhe heronjve të kombit, që nga koha e Hasan Prishtinës dhe Isa Boletinit, Azem Bejtës dhe Shotë Galicës, Marie Shllakut dhe Xhon Serreqit, Nebih dhe Tahir Mehës, Zahir Pajazitit, Afrim Zhitisë, Bahri dhe Fahri Fazliut, me të pavdekshmit Luan dhe Shkëlzen Haradinaj t’i merrni dhe t’i dërgoni në Gjykatën Speciale Raciste në Hagë. Edhe pasardhësit e mbi 10.000 civilëve shqiptarë të vrarë nga Serbia përmes “cakut joushtarak” Radivoje Papoviq dhe Danica Marinkoviq, edhe familjarët e të pagjeturve, edhe të ish të burgosurve politikë, luftëtarë të UÇK-së, si dhe të popullit që e përkrahën rezistencën dhe luftën. Nëse e arrini ta bënë këtë, atëherë edhe do ta rishkruani historinë, o të pafytyrë!

Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Articles

activeBallinaLajme

Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e rikonfirmon përkushtimin e saj...

activeBallinaLajme

Tentim vrasje në Pejë, policia jep detaje

Të shtunën pas mesnate rreth orës 01:25 ka pasur të shtëna me...

Lajme

FOTO: Katër sekrete për një fizik të jashtëzakonshëm nga Jennifer Aniston

Jennifer Aniston ka zbuluar së fundmi për mediat se çfarë gjërash bën...

Lajme

A janë të dobishme thashethemet në punë? Ja si duhet ti trajtoni bisedat me kolegët dhe të shmangni keqkuptimet mes jush

Le ta pranojmë të gjithë, thashethemet konsiderohen kripa dhe piperi i vendit...