Në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, të enjten e nëntë shkurtit do të organizohet një diskutim tjetër për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Pjesëmarrësit që ishin në diskutimin për Asociacionin, më 31 janar, tashmë janë ftuar nga ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.
“Ambasadori Hovenier ju fton për një pritje, të enjten më 9 shkurt, 2023 nga ora 18:30 deri në ora 20:00, në nder të pjesëmarrësve të diskutimit të 31 janarit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, thuhet në ftesë.
Ndryshe, zyrtarë qeveritarë, pjesëtarë të shoqërisë civile, liderë të partive politike dhe diplomatë, kanë marrë pjesë në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë ritheksuar edhe një herë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Themelimi i Asociacionit është përmendur në propozimin e fundit evropian, një plan disapikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se e respekton konfidencialitetin e bisedimeve, ndërsa për Asociacionin ka shtuar se ka insistim të ndryshëm ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes. Sipas tij, marrëveshja për Asociacionin, sipas draftit fillestar, nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, e ka potencuar përkushtimin e Kosovës që sa më shpejt të arrihet dakordimi final rreth propozimit të BE-së, të mbështetur nga Franca e Gjermania.
Ai ka treguar rrethanat, në të cilat, do të zbatohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Leave a comment