Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ndjekur me vëmendje të shtuar zhvillimet e fundit rreth transmetuesit publik në vend, RTK.
Sipas AGK-së rekomandimi dhe emërimi i Rilind Gërvallës është në kundërshtim me praktikën e mirë që është krijuar gjatë përzgjedhjes së bordit të RTK-së, proces ky që ishte lavdëruar ndërkombëtarisht, si transparent dhe profesional.
“Ne besojmë që një proces i ri rekrutimi, në baza të meritokracisë dhe pa ndërhyje politike është i nevojshëm dhe do të lejonte vazhdimin e depolitizimit të transmetuesit publik, dhe do të krijonte atmosferë ku gazetarët mund të veprojnë të lirë pa presion politik.
Ky zhvillim do të ndikojë negativisht në renditjen e Kosovës sa i përket lirisë së medies”, thuhet në komunimatën e AGK-së.
Ndryshe sot, drejtori i kanaleve shqip në RTK, Rilind Gërvalla ka reaguar pas kritikave lidhur me emërimin e tij në këtë pozitë. Gërvalla përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se është zgjedhur në mënyrë korrekte, në konkurs transparent, e në garë me kolegë të aftë profesional.
Ai ka thënë se prej vjetësh nuk është anëtar në asnjë grupacion politik.
“Kjo nuk dmth se unë ndër vite kam qenë indiferent ndaj historisë sonë të përbashkët. Kosova jonë është një vend i vogël që po ndërton shtetësinë nga fillimi; e pra ky impenjim ka kërkuar angazhime nga të gjithë ne. Të gjithë ne qytetarët e moshës madhore kemi kontribuar ndër vite, në një formë ose një tjetër. Kemi marrë pjesë në lëvizjen studentore, skenën muzikore, luftën çlirimtare, ashtu si unë, jemi shprehur për politikë, kemi komentuar, kemi votuar, etj. Them se kjo është normale”, ka thënë ai.
Leave a comment