“Disa deputetë kanë ndryshuar mendje për Kodin Civil”, tha të mërkurën deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, duke besuar se ky kod do të kalojë kur të shkojë në Kuvend për votim. Mirëpo informata tjera ka kolegu i saj, Gramos Agusholli. Deputeti Fitim Haziri thotë që do të përgjigjet kur ta sheh projektligjin, derisa për kalimin e projektkodit civil që parasheh edhe rregullimin e bashkëjetesës mes personave të gjinisë së njëjtë, Eman Rrahmani parasheh vetëm një skenar.
Deputetja e partisë në pushtet, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, të mërkurën në emisionin “Pressing” të T7 ka thënë se disa deputetë që kanë qenë kundër projektkodit civil “kanë ndryshuar mendje”, duke thënë se besojnë se kodi civil do të kalojë kur të shkojë në kuvend.
“Disa deputetë kanë ndryshuar mendje për Kodin Civil, e kanë kuptuar gabimin. Mos të harrojmë faktin se ka pasur shumë presion nga qytetarët, e dimë qëndrimin e qytetarëve për një nen aty. Tri deputetë nuk kanë qenë aty. Për dy vota nuk kanë kaluar. Pra besojmë se do të kalojë me shumicë kësaj radhe”, tha ajo.
Pas kësaj deklarate, Gazeta Express ka kontaktuar me deputetët e VV-së që kanë votuar kundër projektkodit. Telefonatave të redaksisë i janë përgjigjur deputetët Eman Rrahmani, Gramos Agusholli dhe Fitim Haziri, të cilët kanë treguar nëse kanë ndryshuar mendje për projektkodin civil.
Agusholli, tha se do të votojë prapë kundër projektkodit civil nëse vjen në të njëjtën formë. Madje, Agusholli shtoi se ka informata që disa deputetë që kanë votuar pro kodit civil, tash janë kundër.
“Sa i përket Kodit Civil, nëse vjen në të njëjtën formë si herën e kaluar, atëherë vota ime mbetet e njëjtë, ndërsa sa i përket koleges sime znj. Kryeziu nuk e di se çfarë ka thënë, por unë kam po ashtu informata që disa deputetë që kanë qenë pro kodit, tash kanë ndërruar mendim dhe janë kundër”, deklaroi Agusholli për Express.
Deputeti tjetër i VV-së, Fitim Haziri tha se do të përgjigjet vetëm pasi ta shohë projektligjin.
“Nuk mund të them asgjë pa e parë projektligjin, kur ta shoh dhe ta analizoj se çka ka, atëherë mundem me u përgjigj. Për momentin nuk kam përgjigje tjetër”, u shpreh Haziri.
Ndërkaq, deputeti Eman Rrahmani për Express tha se nuk ka ndryshuar qëndrim, duke shtuar se projektkodi civil do të kalojë vetëm nëse ka marrëveshje me deputetët e opozitës.
“Nuk ndryshohet qëndrimi. Ato janë parime, nuk ndryshohen asnjëherë. Edhe s’do të votohet kundër dhe nuk do të kalojë në asnjë mënyrë në Kuvend, veç nëse ka ndonjë marrëveshje me opozitën”, tha Rrahmani.
Se kanë nevojë për ndihmën e opozitës për kalimin e projektkodit civil, e ka pranuar edhe vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo javë më parë ka thënë se janë në koordinim me deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që Kodi Civil të votohet.
“Ju e dini se unë kam dhënë qëndrim sa i përket Kodit Civil dhe unë kam dhënë qëndrim sa i përket rrëzimit nga ana e Kuvendit, megjithatë ka qenë nën mandatin e tyre që ta vlerësojnë ashtu, paraprakisht ne duhet të sigurohemi që Kodi Civil kalon dhe për këtë arsye kjo na ka marrë kohë sepse jemi në koordinim me deputetët e Grupit Parlamentar dhe natyrisht se kemi nevojë edhe për ndihmën e opozitës”, tha ajo.
Nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se drafti i Kodit Civil “shumë shpejtë” posa të finalizohet nga Zyra e Kryeministrit, do të procedohet për votim.
“Drafti i Kodit Civil tashmë pothuajse është i finalizuar, me ndryshimet adekuate edhe në nenin 1138. Shumë shpejtë, posa të finalizohet nga Zyra e Kryeministrit, i njëjti do të jetë publik dhe do të procedohet për votim”, thuhet në përgjigjen e MD-së për Express.
Ndryshimet në Kodin Civil
Javë më parë, Ministria e Albulena Haxhiut ka treguar edhe ndryshimet që janë bërë në këtë projekt kod.
“Ndryshimet në Kodin Civil janë: Parimeve dhe barazisë të gjithë qytetarëve para ligjit dhe mos-diskriminimi; Burimet e së drejtës civile; Harmonizimi me direktivat e BE-së dhe Acquis comunitares dhe standardet tjera ndërkombëtare;
-Harmonizimi i dispozitave ligjore të ligjit për detyrimet duke i evituar konfliktet e ligjit dhe paqartësitë; Sqarimi dhe lehtësimi i zbatimit të ligjit – dispozitave për kontratat që do të ndikon edhe në të bërit biznes dhe sigurinë më të madhe të qytetarëve; Janë saktësuar afatet e parashkrimit (humbjes ) së kërkesave – të drejtave nëse ato nuk kërkohen me kohë, p.sh borxhit, përmbushjes së kontratave, kompensimin e dëmit etj;
-Janë sqaruar të drejtat pronësore; Shumë aspekte të mënyrave të fitimit të pronësisë janë përfshi si dispozita të reja që nuk kanë qenë deri me tani p.sh fitimi i pronësisë me vendim të organit shtetëror, me bashkimin e sendeve’
-Është siguruar më mirë barabarësia para ligjit për të gjithë personat në raportet familjare; Është siguruar një mbrojtje më e mirë e të drejtave pronësore për gratë, ku pasuria është e barabartë 50%:50% për secilin bashkëshortë; Është arritur një siguri më e madhe e mbrojtjes së fëmijëve dhe bashkëshortit/es gjatë shkurorëzimit; Të drejtat e fëmijëve janë rregulluar në pajtim me standardet më të mira ndërkombëtare që gjithmonë të mbrohet interesi më i mirë i fëmijëve, duke i dhënë mundësi edhe fëmijës 6 vjeçare që të dëgjohet në çdo procedurë kur vendoset për interesat; Çështja e martesave të personave me sekse të njëjta dhe bashkëjetesave civile është adresuar ashtu që do të rregullohet me ligj të veçantë;
-Janë hartuar dispozita ligjore që garantojnë barabarësinë efektive në trashëgimi duke u siguruar që edhe gratë të arrin ti realizojnë më mirë të drejtat e trashëgimisë (edhe pse kjo e drejtë ka qenë e garantuar, me Kodin Civil janë paraparë dispozita që e sigurojnë secilin në gëzimin e të drejtës së tij/saj me një procedurë transparente par noterëve dhe gjykatave); Heqja dorë nga trashëgimia si e drejtë e trashëgimtarëve, mund të bëhet vetëm duke u siguruar një procedurë transparente dhe njoftuar palët/trashëgimtarët me pasojat që ka heqja dorë; Bashkëshortët që jetojnë në Bashkëjetesë të cilët nuk kanë lidhur martesë dhe nuk kanë metresë me persona tjerë, e kanë të drejtën e trashëgimisë nëse kjo bashkësi ka zgjatur 5 vite, ndërsa në rastin kur kanë fëmijë të ketë zgjatur 3 vite”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Afatet e “harruara” të Glauk Konjufcës e Mimoza Kusarit
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila në fillim të shtatorit të vitit të kaluar tha se ky projektkod në vjeshtë vjen sërish në Kuvend.
“Projektkodi vjen sërish në vjeshtë, një dokument i rëndësishëm, i dyti pas kushtetutës në raport të rregullimit të jetës së qytetarëve prej lindjes deri në vdekje… Para tetorit nuk besoj që ka shansë teorike”, kishte deklaruar Kusari – Lila , në një intervistë në emisionin “DPT te Fidani” në T7.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si afat kishte përmendur periudhën para Vitit të Ri.
“Po unë mendoj që para Vitit të Ri, kështu kanë qenë fjalët. Te shohim. Të them të drejtën, kjo nuk është përgjegjësi vetëm e mazhorancës dhe as nuk mendoj që duhet me qenë. Ne po flasim për do orientime vlerore afatgjata. Ke me i vendos do baza e standarde që s’ke me mujt me i hjek më, mundesh me rregullu atë punë me kompletu, por jo me…sepse është e të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Konjufca në RTV Dukagjini.
Pavarësisht deklaratave, as në vjeshtë, as para vitit të ri, projektkodi civil nuk u dërgua për votim në Kuvend.
Leave a comment