Lajme

Marrëdhëniet e komplikuara shqiptaro-greke

Shkruan: Daut Dauti

Greqia ndaj Kosovës zbaton një politikë mjaft pragmatike. Nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por as nuk e pengon praninë ndërkombëtare të këtij vendi të ri evropian dhe i trajton funksionarët e shtetit të Kosovës me rregulla diplomatike sikur ta njohë Kosovën. Me këtë qëndrim, Athina, me aktivitetin ekonomik (investime) në Kosovë mëton ta shtrijë influencën e vet, njëkohësisht duke e ruajtur vëllazërinë me vendet ortodokse, gjegjësisht Serbinë. Është një politikë balance. Prandaj, Athina nuk e ka të lehtë ta implementojë këtë politikë.

E mbaj në mend një bisedë më udhëheqësin e Zyrës Diplomatike Greke në Prishtinë, në vitin 2005, kur unë kam punuar në Kryeministri të Kosovës. Atëherë mua më takonin përfaqësuesit e shumë zyrave të huaja, por i dërgonin funksionarët e dorës së dytë. Në rastin e Greqisë, erdhi vet shefi i zyrës, gjë që ishte befasi, por edhe respekt për mua dhe për zyrën tonë.

Në bufenë e Kuvendit, e hapa bisedën (ndoshta në mënyrë jodiplomatike) duke i thënë përfaqësuesit grek se shqiptarët, sidomos kosovarët, nuk kanë ndonjë mendim të mirë për Greqinë, sikurse grekët nuk kanë mendim të mirë për shqiptarët.

“Pjesërisht e ke gabim”, u përgjigj ai dhe vazhdoi: ‘Kësi mendimi kam pasur edhe unë derisa nuk kam ardhur në Prishtinë, por tashti e kam ndryshuar’.

E vërtetë, gjërat ndryshojnë kur njihemi. Por, politikat zyrtare të shteteve e ruajnë një vijë tradicionale. Kjo vijë në Greqi është antishqiptare, antiturke dhe antibullgare. Është kështu për arsye se Greqia shtrihet në territore që normalisht do të duhej të ishin pjesë e këtyre tri vendeve. Për këtë arsye, Evropa e ka krijuar Greqinë. Pra, për ta frenuar ndikimin sllav dhe turk, gjegjësisht mysliman në Ballkan. Për këtë arsye Greqia edhe ka hyrë në NATO edhe në Union Evropian. Madje, në një periudhë, Evropa, kryesisht Franca dhe Britania e Madhe, e ka llastuar aq shumë Greqinë saqë ia premtoi edhe Turqinë me Stambollin për kryeqytet grek. Ky është një lazdrim i tepruar, por te grekët e ka krijuar ledhatimin e megaloidesë që vazhdon edhe sot.

Greqia është larguar me sukses nga ndikimi pansllav, por nuk e ka hedhur anash vëllazërinë ortodokse me sllavët. Madje, Kisha Ortodokse Greke, tradicionalisht antishqiptare, është aq e rëndësishme në shoqërinë greke saqë edhe Kushtetuta ia garanton vendin sipëror si institucion. Greqia është i vetmi vend evropian që Kishës ia ka dhënë një rol kaq të madh.

Me kalimin e kohës, edhe unë, sikurse diplomati grek, e kam ndryshuar mendimin. Grekët kanë një shtresë të intelektualëve për lakmi. Grekët kanë krijuar një shtresë të shkrimtarëve apo edhe të historianëve, që e kritikojnë rreptë të kaluarën e tyre. Kur bisedon me ta, habitesh nga pozitiviteti që kanë. Por, sërish, është tejet e habitshme pse kjo shtresë nuk ka ndikuar pothuaj aspak në mentalitetin e grekut të zakonshëm që ende është ai i fshatarësisë së shekullit XIX. Me siguri që për këtë arsye Greqia e zbaton një politikë ende magalomane për shkak se varet nga këta votues.

Sot, problem kryesor i politikës së jashtme greke është ndikimi i Turqisë në botë, veçanërisht në Ballkan. Sa më i madh që është ky ndikim, Greqia ndjehet më e frikësuar. Prandaj, Greqia nuk e njeh Kosovën. Madje, do ta pengojë edhe Shqipërinë në ecjen e saj drejt Unionit Evropian, e cila gjë po shihet me pasojat që ka prodhuar rasti i burgosjes së Belerit. Me pak fjalë, marrëdhëniet shqiptaro-greke janë më të komplikuara se që shihen në sipërfaqe.

Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Articles

activeBallinaLajme

Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e rikonfirmon përkushtimin e saj...

activeBallinaLajme

Tentim vrasje në Pejë, policia jep detaje

Të shtunën pas mesnate rreth orës 01:25 ka pasur të shtëna me...

Lajme

FOTO: Katër sekrete për një fizik të jashtëzakonshëm nga Jennifer Aniston

Jennifer Aniston ka zbuluar së fundmi për mediat se çfarë gjërash bën...

Lajme

A janë të dobishme thashethemet në punë? Ja si duhet ti trajtoni bisedat me kolegët dhe të shmangni keqkuptimet mes jush

Le ta pranojmë të gjithë, thashethemet konsiderohen kripa dhe piperi i vendit...