Ish-pjesëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, vazhdon të jetë nën arrest në Shqipëri. Kjo me kërkesë të Prokurorisë së Specializuar në Hagë se Goxhaj dyshohet për ndikim në drejtësi dhe pengim të personave në kryerjen e detyrës zyrtare.
Seanca e sotme ka dështuar pasi prokurori kishte munguar. Avokati i Goxhajt deklaroi se nuk kanë mbërritur materialet nga Kosova për ekstradim.
Para pak ditësh, Goxhaj me një letër të gjatë nga burgu, ka thënë se kjo çka po ndodhë, është pengmarrje juridike e shtetit të Kosovës dhe qeverisë nga Gjykata Speciale e Hagës.
“Në këtë moment është realizuar pengmarrja juridike e shtetit dhe qeverisë së Kosovës nga ana e ZPS-së dhe Gjykatës Speciale. Për momentin unë nuk jam në gjendje të them nëse kjo ka ndodhur me vetëdije apo pa vetëdije të qeverisë Kurti por, duke qenë se deri më tani këto dy subjekte kanë arritur të marrin peng Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri dhe Prokurorinë e Shkallës së parë, të krijon përshtypjen e një lloj tentative të tipit “Revolucion Kinez” për të marrë peng jo vetëm sistemin juridik në Shqipëri, por edhe gjithë shtetin dhe shoqërinë në vendin tone”, thuhet në letrën e Dritan Goxhajt.
Sipas tij, me veprime të tilla Kosova po kthehet në kohën e Rankoviqit.
“Këto dy subjekte, pasi kanë marrë peng shtetin e brishtë dhe të ri të Kosovës, duke e kthyer atë në kohën e Rankoviçit, kur shqiptarët arrestoheshin, dënoheshin dhe vriteshin vetëm për lirinë e fjalës, vetëm se guxonin të shprehnin hapur opinionet e tyre të cilat, kur binin ndesh me politikën vrastare Rankoviçiane të Serbisë në Kosovë, u rrezikonin jetën dhe qenësinë shqiptarëve, po mundohen edhe sot që, përveç shtetit të Kosovës dhe Kushtetutës së saj, të marrin peng edhe fjalën e lirë dhe ndërgjegjen në Kosovë nëpërmjet një grushti shteti juridik në Kosovë”, thuhet në letrën e Dritan Goxhajt.
“Kjo prokurori dhe gjykatë kanë vendosur për arrestimin tim me pretekstin e shkruar e bardha mbi të zezë në faqen 6 të vendimit për arrestimin tim në pikën “Koha dhe vendi i kryerjes së veprës (penale): “Gjykatësi i vetëm ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar që z. Goxhaj, së paku dy herë, zbuloi qëllimisht çfarë besonte përmes një postimi në faqen e Facebook-ut që mban emrin e tij, në formën e një artikulli –opinion.”, specifikohet më tutje.
Sipas Goxhajt, veprat penale për të cilat ai akuzohet nga Haga, nuk hyjnë fare në juridiksionin e Prokurorisë së Hagës.
“Ashtu siç edhe shihet qartësisht, veprat për të cilat kjo prokurori ngre akuzë ndaj meje nuk janë absolutisht kompetencë e kësaj prokurorie dhe as e kësaj gjykate, por këto sy subjekte i kanë dhënë vetes tagrin që të marrin edhe kompetencat e prokurorisë dhe gjykatës së juridiksionit të përgjithshëm. Dhe kjo nuk është as më shumë e as më pak se një Grusht Shteti Kriminal”, thuhet në këtë letër.
“Arrestimi im bëhet vetëm për dy arsye thelbësore. E para, sepse deklaroj – shpreh atë që besoj dhe, e dyta, sepse atë që besoj e shpreh dhe e publikoj si opinon timin në formë artikulli. Të dyja këto arsye të vetme me të cilat këto dy subjekte justifikojnë arrestimin tim hyjnë te veprat penale të ndërgjegjes, vepra penale këto që ka 30 vjet që janë hequr nga Kodi Penal në Shqipëri, ndërsa në Kosovën e re ato as nuk ekzistojnë fare”, thotë më tutje ai.
Në fund të letrë, Goxhaj ka treguar çka pret nga Kosova e Shqipëria.
“Unë vetëm uroj që shteti shqiptar dhe një pjesë e sistemit të tij juridik të arrijnë të kuptojnë kurthin vdekjeprurës ndaj lirisë së fjalës dhe ndërgjegjes, drejt të cilit po e shtyjnë ZPS-ja dhe Gjykata Speciale e Kosovës. Uroj që Shqipëria ime të ecë drejt Europës me liri fjale, opinioni dhe ndërgjegjeje e mos të bjerë viktimë e mentalitetit Rankoviço-Titist të ZPS-së dhe Gjykatës Speciale të Kosovës dhe t’i thotë “Jo!” pengmarrjes së shtetit shqiptar. Shpresoj dhe besoj se sistemi gjyqësor shqiptar do të respektojë, në rastin tim dhe jo vetëm, parimet bazë të një gjykimi të drejtë e të paanshëm”, përfundon letra e Dritan Goxhajt.
Dritan Goxhaj i është bashkuar UÇK’së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit.
Goxhaj ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.
Kohë më parë, Goxhaj e kishte përmendur këshilltaren e ministres Albulena Haxhiu, si një dëshmitare të mundshme në procesin ndaj Salih Mustafës.
“Dëshmitari i tretë, edhe ky i mbrojtur dhe i fshehur, quhet Nazlie Balaj”, pretendon ish-oficeri i UÇK-së, në shkrimin e publikuar në KosovaPress, më 2 janar të këtij viti.
Leave a comment