Profesioni i avokatit konsiderohet profitabil, por që edhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) vlerëson se të hyrat nga avokatët në vend janë të konsiderueshme për vitin e kaluar dhe për periudhën janar-korrik të këtij viti.
Avokatët kanë paguar tatime mbi 5 milionë euro në periudhën janar-korrik të këtij viti. Kurse në vitin 2022 të njëjtit kishin paguar tatime mbi 8 milionë euro.
ATK mbetet “e kënaqur” edhe me estradën, pasi që sipas këtij institucioni ka dyfishim të të hyrave nga këngëtarët.
Ndërkaq, sektori i gastronomisë është nën llupën e ATK-së, pasi që ky sektor ka parregullsi për mos lëshimin e kuponëve fiskalë.
Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa ka deklaruar se në Kosovë janë mbi 2 mijë avokatë dhe individë të tjerë që operojnë në këtë fushë. Sipas saj, pagesat nga ana e kësaj kategorie janë të konsiderueshme
“Kemi mbi 1 mijë avokatë në vend, mirëpo në bazë të kodit NACE kemi 2 mijë e 160 individë të cilët janë jo vetëm avokatë të licencuar, por edhe persona të cilët merren me fushën e drejtësisë. Nëse i referohemi pagesave të kryera në periudhën komplet vitin 2022 kemi 8.2 milionë euro pagesa, ndërsa për përudhën janar-korrik 2023 kemi të hyra nga avokatët 5.1 milionë euro pagesa të bëra nga ana e këtyre personave. Sigurisht që janë avokatë, mirëpo mund të ketë edhe individë të tjerë të cilët nuk kanë licencën e avokatit, mirëpo avokojnë në këtë fushë”, thotë Bytyqi-Sefa.
Ajo ka thënë se krahasuar më të hyrat nuk ka vend për dyshime për mos deklarim të të hyrave nga avokatët.
“Nga shifra që i prezantuam shihet që janë të hyra mjaft të mira. Këto shifra nuk lënë edhe shumë hapësirë që ne të kemi dyshime për mos deklarim. Sigurisht që mund të ketë pagesa të vogla nga natyra e punës që ata kanë, por një përqindje e konsiderueshme kryhen përmes transaksioneve bankare. Mund të ketë edhe shuma të vogle që nuk kanë edhe risk të madh në ATK të cilat mund të bëhen kesh”, shprehet ajo për KosovaPress.
Sfidë për ATK-në mbetet mos lëshimi i kuponëve fiskal nga ana e bizneseve.
Sipas zëdhënëses, ATK në tre muajt e verës ka inspektuar veçanërisht sektorin e gastronomisë, pasi që qytetarët kanë ankesa për mos lëshim të kuponëve fiskalë dhe për lëshim të kuponëve jofiskalë.
“Kemi biznese që janë të fiskalizuara, mirëpo problemi më i madh është për mos printimin e kuponit fiskal. Andaj, ne në forma të ndryshme jemi duke tentuar për të luftuar këtë dukuri, duke rritur bashkëpunimin edhe me qytetarë sepse e kemi të pamundur t’i monitorojmë bizneset nëse janë duke lëshuar kuponë fiskal ose jo. Sepse po kemi raportime nga ana e qytetarëve, shpeshherë kur nuk iu është dhënë kuponi fiskal dhe raste të tjera që qytetarëve i janë dhënë kuponë jofiskal. ATK në tre muajt e verës ka inspektuar me theks të veçantë sektorin e gastronomisë dhe aty kemi hasur në disa parregullsi tatimore ku nuk janë lëshuar kuponët fiskalë siç kërkohet me kornizat ligjore”, thekson zëdhënësja e ATK-së.
Sa i përket estradës, ajo ka thënë se ka një dyfishim të deklarimit të të hyrave nga këngëtarët krahasuar me dy vitet e kaluara.
“Ne kemi dyfishim të pagesave të këngëtarëve për dallim nëse i kthehemi dy viteve paraprake. Jemi të kënaqur me atë që është duke u deklaruar edhe në qarkullim dhe pagesa. Urojmë që këngëtarët sikurse kanë deklaruar vitin e kaluar të vazhdojnë të deklarojnë pas këtij sezoni për obligimet që kanë ndaj vendit”, theksoi ajo.
Administrata Tatimore e Kosovës ka lëshuar 7 mijë e 800 gjoba kryesisht për bizneset që nuk respektojnë ligjin për printimin e kuponëve fiskal.
Leave a comment