Në Qendrën Korrektuese të Dubravës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bashkë me zëvendësuesin e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, kanë shpërndarë 35 certifikata të aftësimit profesional për të burgosurit.
Aftësimi i tyre ka përfshirë lëminë e ndërtimtarisë, automekanikes, instalimit të ngrohjes, axhustatorit, etj.
Me këtë rast, Ministria e Drejtësisë, ka theksuar se certifikatat e aftësimit profesional jo vetëm që do t’u ofrojnë të burgosurve mundësi për një të ardhme më të mirë, por gjithashtu do të ndihmojnë në zvogëlimin e ndikimit të krimit në shoqëri.
“Kjo përpjekje për të ofruar mundësi për të përfituar njohuri dhe aftësi të reja është një hap drejt ri integrimit të tyre në shoqëri dhe një kontribut i rëndësishëm për të shmangur përsëritjen e veprave penale”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas këtij njoftimi, ministrja Haxhiu, në ceremoninë e ndarjes së certifikatave të aftësimit profesional për të burgosurit në Qendrën Korrektuese të Dubravës, ka theksuar se ky është një hap i rëndësishëm drejt ri integrimit të tyre në shoqëri dhe përballjes me sfida të reja.
Gjithashtu, ajo ka shprehur besimin se aftësitë e fituara në fushat e ndërtimtarisë, automekanikes dhe fusha të tjera do të ndihmojnë të burgosurit të integrohen më lehtë në tregun e punës pas lirimit.
Pas shpërndarjes së certifikatave, ministrja Haxhiu ka vizituar edhe Institutin për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta. Në këtë institucion, ajo ka takuar stafin dhe personat të cilët janë në trajtim, duke treguar vullnetin e saj për të mbështetur dhe ndihmuar këtë kategori.
“Vizita e ministres Haxhiu edhe njëherë rikonfirmon kujdesin e duhur ndaj personave me nevoja të veçanta, ndërsa gjithashtu reflekton përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për të ndryshuar dhe përmirësuar sistemin e drejtësisë në vend. Ministria e Drejtësisë vazhdon të angazhohet për të krijuar mundësi të reja dhe për të ndihmuar të burgosurit të bëhen pjesë e shoqërisë në mënyrë pozitive”, ka njoftuar Ministria e Drejtësisë.
Leave a comment