Gjykata Speciale është larg nga një institucion juridik efikas, thotë Nevenka Tromp, e cila punoi për shumë vjet në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi. Ajo thekson se kjo gjykatë ka shumë mangësi sa i përket transparencës derisa shpreh shqetësim se seancat e mbyllura mund të nxisin dëshmitarët që të flasin çfarë të duan në gjykatore. Në tetë vjetorin e krijimit të Speciales, Tromp tregon nëse kishte motiv të fortë për këtë vendim, si dhe çka pret nga gjykimi i madh, “Thaçi dhe të tjerët”.
Gjykata Speciale është larg nga një institucion juridik efikas, thotë Nevenka Tromp, e cila punoi për shumë vjet në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi. Ajo thekson se kjo gjykatë ka shumë mangësi sa i përket transparencës derisa shpreh shqetësim se seancat e mbyllura mund të nxisin dëshmitarët që të flasin çfarë të duan në gjykatore. Në tetë vjetorin e krijimit të Speciales, Tromp tregon nëse kishte motiv të fortë për këtë vendim, si dhe çka pret nga gjykimi i madh, “Thaçi dhe të tjerët”.
Ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, thotë se e kupton pse Kuvendi i Kosovës vendosi t’i përmbushë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti të Shteteve të Bashkuara, për t’i krijuar Dhomat e specializuara dhe t’i transferojë ato në Holandë.
“Kishte një motiv politik shumë të rëndësishëm që Kuvendi i Kosovës dhe lidershipi i Kosovës në atë kohë të pajtoheshin me Amerikën, pse? Sepse Shtetet e Bashkuara kanë qenë partneri dhe mbështetësi më i rëndësishëm i çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës. Dhe Kosova duke qenë ende një shtet de-fakto në thelb, nuk mund të ia lejojë vetes të mos ketë aleatë siç janë Shtetet e Bashkuara, pra në të vërtetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të shihen si një shtet mbrojtës i Kosovës sepse si shtet ende i pa njohur plotësisht nga OKB-ja, Kosova ka disa vështirësi për t’u angazhuar në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pra, nga ai këndvështrim, ka shpjegime dhe arsye pse ne vëzhguesit e jashtëm mund ta shohim logjikën pse Kuvendi i Kosovës e ndërmori këtë hap në gusht të vitit 2015. Por nëse tani shikoni se çfarë dhe si është krijuar kjo gjykatë, cilat janë rregullat e statutit të saj për procedurën dhe efikasitetin kur është fjala për numrin e të akuzuarve, aktakuzave dhe numrin e dënimeve apo aktgjykimeve të deritanishme, atëherë shohim se është larg nga një institucion juridik efikas që merret me krimet më të rënda politike, krimet e luftës, dhe krimet kundër njerëzimit”, thotë Tromp.
Në Gjykatën Speciale deri tani janë gjashtë persona të akuzuar për krime të pretenduara të luftës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala e Salih Mustafa, e ndaj këtij të fundit në dhjetor të vitit të kaluar është shqiptuar dënim fajësie në shkallë të parë, me 26 vjet burgim.
Tromp e konsideron këtë shembull ekstrem të drejtësisë dhe sipas saj dënimi është shumë i lartë krahasuare me numrin e viktimave të supozuara si dhe periudhën që mbulon aktakuza.
Krahas këtij shqetësimi, Tromp përmend edhe seancat e mbyllura që po zhvillohen në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, gjykim ky i cili ka nisur në prill të këtij viti.
Deri tani, në këtë çështje gjyqësore janë dëgjuar 15 dëshmitarë të thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe vetëm dy prej tyre kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse, për dallim nga të tjerët që përveç se ishin të mbrojtur, dëshmuan në seanca tërësisht të mbyllura për publikun.
“Edhe në këtë fazë shumë të hershme të gjykimit të Thaçit dhe të tjerëve, ne shohim se gjykata po ka shumë mangësi sa i përket transparencës dhe publikimit të procedurave, për ata që realisht kujdesen për këtë, dhe kush janë ata, padyshim janë njerëz të Kosovës. Pra, këto janë çështje shumë madhore dhe pika shqetësuese kur bëhet fjalë për efikasitetin e kësaj gjykate dhe padyshim ritmin e ngadaltë të gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve për të ardhur në procedurë gjyqësore, sepse kanë qenë në paraburgim për më shumë se dy vjet. Në fakt na kthen te ky lloj, mbipërdorimi… i cili thotë se drejtësia e ngadaltë nuk është aspak drejtësi. Nëse vërtet dëshironi që një gjykatë të lavdërohet për efikasitetin e saj, atëherë duhet të jetë një kohë e arsyeshme që nga momenti që paditë ngrihen, të akuzuarit vendosen në paraburgim, presin gjykimin dhe më pas gjykimi duhet të jetë sa më i shpejtë dhe efikas. Deri më tani nuk kemi parë asnjë nga këto”, thotë ajo.
Gruaja që shkoi librin “Gjykimi i papërfunduar i Millosheviqit”, thotë se seancat e mbyllura ku trajtohen raste të këtij formati janë vrasës të sistemit ndërkombëtar të drejtësisë.
Ajo thekson se transparenca duhet trajtuar si një nga elementet më të rëndësishme.
Derisa sipas prokurorisë, seancat e mbyllura kërkohen për të mbrojtur dëshmitarët, Tromp thotë se në këtë mënyrë çdo kush mund të dalë të flas çka të dojë në gjykatore ndërkohë që pamundësohet të ketë masë kritikuese nga jashtë.
“Në të njëjtën kohë, mund të thuash gjithashtu se kjo lloj mbyllje e provave nga pjesa e prokurorisë në të vërtetë mund të nxisë çdo lloj dëshmitari që të vijë në gjykatë dhe të thotë çfarë të dojë, sepse ai ose ajo do të ndihet i mbrojtur dhe nëse thotë gjysmë të vërtetën, nuk do kishte asnjë masë kritikuese nga jashtë që do e dëgjonte dhe do të thoshte, ‘hej, ky person nuk mund të ishte atje sepse ne ishim bashkë në Shqipëri në atë kohë’, që ai ose ajo tani thotë se çfarë ndodhi. Pra, nëse prokuroria përdor seancat e mbyllura deri më tani për të thënë se duhet të mbrojmë dëshmitarët tanë, mbrojtja mund të thotë se ne kemi nevojë që këta dëshmitarë t’i thonë këto gjëra hapur, sepse ne besojmë se disa prej tyre në fakt nuk po thonë të vërtetën, dhe njerëzit që ata i njohin, njerëzit që i kaluan këto ditë dhe vite kritike së bashku në vitin 1998 apo 1999, në fakt mund të vinin tek ne dhe të thoshin ‘jo nuk është e vërtetë, ky dëshmitar nuk po thotë të vërtetën’ dhe kjo është arsyeja pse prokuroria është në fakt tani në një rrugë të rrëshqitshme, sepse si mund të keni përfundimisht një gjykim ku citoni dëshmitarët, deklaratat e të cilëve duhet t’i fshihni në vendimin përfundimtar, sa i besueshëm do të ishte ky gjykim, ose nëse do ekzistonte një dënim nëse askush nga bota e jashtme nuk mund të lexojë gjykimin dhe të thotë ‘Po sigurisht, jam dakord me këtë’”, thotë ajo.
Madje sipas saj, aktgjykimet e bazuara në seanca të mbyllura potencialisht dëmtojnë sistemin ndërkombëtar të drejtësisë.
“Pra, çdo aktgjykim në këtë rast, i bazuar në seanca dërrmuese të mbyllura dhe prova të redaktuara, do të cenonte gjykimin eventual, sigurisht edhe dënimet, por do të cenonte jo vetëm këtë gjykatë, por do të dëmtonte potencialisht sistemin ndërkombëtar të drejtësisë. Nëse ky është një precedent dhe nëse gjykatat e tjera mund të mbështeten tek ky precedent që thonë, ‘oh ne kemi shumë dëshmitarë, por, ju e dini, ne nuk mund ta zbulojmë identitetin e tyre sepse ata janë të rrezikuar’, atëherë ne në fakt po vijmë në pikën ku sistemi ndërkombëtar i drejtësisë penale do të humbasë prestigjin, autoritetin dhe integritetin e saj kur bëhet fjalë për pranimin e qytetarëve të botës”, shton Tromp.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së i nisur në prill të këtij viti pritet të marrë goxha kohë der në përfundim.
Dy vjet janë paraparë vetëm për çështjen e ZPS e cila ka paralajmëruar qindra dëshmitarë në këtë çështje gjyqësore ku pretendohen se janë 140 viktima pjesëmarrëse.
Tromp e ka vështirë të parashikojë rrjedhën e këtij procesi meqë seancat e deritanishme ishin pothuajse tërësisht të mbyllura, por thekson se bazuar në aktakuzë dhe shtrirje kohore, përfundimi do të duhej të ishte me lirim nga akuzat për Thaçin dhe të tjerët.
“Nëse e lexoni aktakuzën dhe nëse shikoni shtrirjen kohore, shtrirjen e veçantë, dhe nëse shikoni funksionin e secilës prej këtyre katër individëve dhe mënyrën se si ata e udhëhoqën luftën e tyre të armatosur kundër regjimit serb, atëherë mendoj se përfundimi i qartë do të ishte se të katër ata duhet të lirohen nga akuzat. Por duke thënë këtë, sapo këta individë të hyjnë në gjykatë, dhe një sistem ligjor të marrë pushtetin, një sistem ligjor që nuk është transparent siç duhet të jetë, nuk do të habitesha nëse përfundimisht do të kishte dënime vetëm për të vërtetuar thelbin e tyre që bënë gjykatën, se kjo gjykatë nuk ishte një gjykatë jozyrtare, se kjo gjykatë ishte e ligjshme dhe e bazuar ligjërisht. Pra, padyshim që drejtësia do të ishte që kjo gjykatë të mos kishte ekzistuar kurrë, dhe tani që ekziston, këta njerëz duhet të shpallen të pafajshëm, ende nuk ka siguri pasi gjykata të funksionojë ashtu siç mund të ndodhë, dhe vendimi i shkallës së parë ndaj Salih Mustafës me 26 vjet burgim është absolutisht i ashpër në ashpërsinë e tij. Pra, nëse e ndiqni këtë logjikë, atëherë duhet të mendoni se ata që ishin mbi të në çfarëdo lloj linje apo autoriteti de-fakto, si komandantë dhe udhëheqës të UÇK-së, nëse ky do të ishte standard, atëherë lajmet mund të ishin shumë të këqija”, thotë Tromp.
Tromp flet edhe për mungesën e aktakuzave të reja nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, derisa thekson se prokuroria po ka vështirësi në trajtimin e gjashtë rasteve që aktualisht janë para kësaj gjykate.
“Në atë kohë, po ashtu, ideja ishte që rreth dhjetë komandantë dhe drejtues të lartë të UÇK-së të akuzoheshin. Dhe edhe pas 8 vitesh pune të kësaj gjykate, kemi vetëm gjashtë persona të akuzuar. Nuk po llogarisim ata njerëz, dy të akuzuarit që janë aty për shpërfillje të gjykatës. Atëherë ju pyesni veten, kjo gjykatë në fakt do të ekzistojë dhe do të shpenzojë miliona e miliona euro për funksionimin e saj për gjashtë të akuzuar, kështu që, duke e parë në aspektin ekonomik, një institucion jashtëzakonisht shpërdorues, pse nuk paditi më shumë njerëz. Epo, nëse e sheh fazën e ngadaltë të kësaj gjykate, pavarësisht prokurorisë dhe personelit shumë të fortë, fillon të vësh në dyshim kapacitetin e prokurorisë, sa e vështirë është të gjesh më shumë fajtorë. Për mua ky numër prej të themi 10 personash, që do të ishte numër i arsyeshëm i të akuzuarve për të justifikuar një institucion kaq të madh dhe të shtrenjtë siç janë Dhomat e Specializuara të Kosovës. Pra, e kuptoj se gjykata po ka vështirësi, apo prokuroria po ka vështirësi aq shumë edhe për t’i trajtuar këto gjashtë raste, saqë nuk ka hetime të mëtejshme dhe aktakuza të më shumë personave, kështu që gjykata ndoshta do ta përfundojë punën e saj me këtë numër të kufizuar të të akuzuarve”, thotë ajo.
Tromp, e cila ka punuar me ekipin e prokurorit që ka përgatitur rastin kundër Sllobodan Millosheviq, ndalet edhe të “mungesa e interesimit” që ka audienca në Kosovë apo ajo botërore, për këto procese gjyqësore.
“Dhe ajo që ne shohim është se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një gjykatë, dhe gjykimet e saj absolutisht nuk ndiqen nga bota e jashtme dhe audienca botërore, jo vetëm audienca lokale, jo vetëm komunitetet publike lokale në Kosovë, por ju shihni diçka me Tribunalin e ish Jugosllavisë kur punonte gjykata e Jugosllavisë, e gjithë bota ishte e përqendruar dhe shikonte se çfarë po ndodhte atje, historia po bëhej atje. Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk respektojnë këtë element të interesit publik të kësaj lloj drejtësie…Pra, pyetja është, pse është kështu, një nga shpjegimet e mundshme është se shqyrtimi strategjik i arsyeve pse janë themeluar Dhomat e Specializuara të Kosovës është se padyshim, ajo kishte një funksion politik për ta mbajtur Serbinë në dialog me Kosovën për statusin e Kosovës si shtet i pavarur, dhe pasi serbët arritën në vitin 2015, pas vitesh e vitesh presioni për ta bërë realitet këtë gjykatë, mbaruan qëllimin e tyre politik, nuk u interesuan më se çfarë do të ndodhte me rastet, por në të njëjtën kohë liderët politikë dhe intelektualë të Kosovës dhe populli i Kosovës asnjëherë nuk e kanë parë këtë gjykatë si një institucion ligjor që do të sjellë drejtësi, sepse ata thanë çfarë drejtësie, ata në të vërtetë po ndjekin liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët e mundën Serbinë… Pra, e shihni që i gjithë koncepti dhe mënyra se si konceptohet në të vërtetë i tregon popullit të Kosovës se nuk ishte gjykata ku duhet dhe mund të prisni drejtësi, ishte një gjykatë që ishte një kompromis politik, që mund të jetë një arsye pse Kosova nuk e ndjek dita-ditës, apo sido qoftë, procedurat për të cilën po flasim”, shton Tromp.”, thotë ajo.
Me 3 gusht të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, me seli në Hagë të Holandës.
Në këtë institucion, që funksionon me ligje të Kosovës, shërbejnë prokurorë e gjykatës të huaj.
Kjo gjykatë heton krimet e pretenduara të luftës në Kosovë, për një periudhë kohore nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht në Hagë po gjykohen ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Ndërsa rast i ndarë është ai i Pjetër Shalës i cili gjithashtu është në fazën e gjykimit.
E gjykimi ka përfunduar ndaj Salih Mustafës, rast ky i cili është në apel, pas vendimit të shkallës së parë me 26 vjet burgim.
Pasi Zyrës së Prokurorit të Specializuar i rrodhën disa dokumente sipas tyre konfidenciale, Gjykata Speciale ka dënuar me burgim edhe dy ish drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë./KP/
Leave a comment