Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova nuk është kritikuar asnjëherë në Komitetin për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan siç ndodhi para dy ditësh gjatë raportimit të Gabriel Escobarit lidhur me politikën e administratës së presidentit Biden për Ballkanin Perëndimor.
“Kosova kurrë nuk është kritikuar në Komitetin për Politikë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, siç ndodhi para dy dite gjatë raportimit të z. Gabriel Eskobar lidhur politikën e Administratës Biden për Ballkanin Perëndimor.
Sigurisht se në diskutimet në këtë Komitet në të kaluarën janë dhënë vërejtje e sugjerime për Kosovën, por gjithmonë ka pasur vlerësime pozitive për qasjen strategjike të Kosovës në bashkërendim me aleatët”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ish-kryeministri thotë se nuk duhet të na ngushëllojë fakti se kritikat kanë qenë edhe më të mëdha ndaj vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat po e mbajnë peng përparimin e rajonit drejt integrimit evropian, duke iu referuar Serbisë.
Deputeti opozitar thotë se për Kosovën dhe konsolidimin e shtetësisë së saj nuk ka alternativa pos aleancës me ShBA-në.
“Mirëmbajtja dhe avancimi i marrëdhënieve tona me SHBA-në dhe me aleatët e tjerë është e vetmja mënyrë për tu bërë ballë sfidave në konsolidimin e shtetësisë të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Për ne nuk ka rrugë tjetër. Imagjinoni për një moment pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe perspektivën e integrimit euro-atlantik pa mbështetjen e aleatëve dhe do të bindeni për nevojën e koordinimit tonë të plotë dhe të përhershëm me aleatët”, ka shprehur mendimin Hoti.
Ai ka ironizuar me kontratat për lobim me ShBA-në.
“Ndoshta kontrata për lobim, që e paska nënshkruar qeveria, do ta ndryshojë qasjen e Amerikës ndaj Kosovës”, ka shkruar Hoti./Epoka e re/
Leave a comment