Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë sot se Kosova po kalon nëpër një situatë të rrezikshme dhe duhen hapa konkretë për ta tejkaluar.
“Po kalojmë në një situatë të rrezikshme. Kërkohen hapa të guximshëm dhe veprime konkrete. Sot, në kuadër të ciklit të diskutimeve me kategoritë e ndryshme shoqërore, në Kuvendin e Kosovës takuam përfaqësuesit e medieve dhe të shoqërisë civile”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se si subjekt politik e çmojnë rolin e medieve dhe të shoqërisë civile.
“Gjatë një diskutimi shumë transparent, konstatuam edhe njëherë që gjendja në vend që nga shpallja e pavarësisë nuk ka qenë më keqe se sa kjo tani. Kjo situatë e krijuar kërkon hapa të guximshëm dhe veprime konkrete, bashkërisht.
Ne si Aleancë e çmojmë rolin e medieve dhe të shoqërisë civile për sensibilizimin shoqëror, para një situate ku Kosova është e sanksionuar nga aleatët kryesorë të pavarësisë tonë”, ka shtuar Haradinaj.
Ai ka paralajmëruar takime të kësaj natyre edhe me sektorë të tjerë.
“Do të vazhdojmë edhe me sektorë të tjerë në mënyrë që të dalim nga kjo bllokadë që po kalon vendi, për ta nxjerrë Kosovën nga sanksionet dhe izolimi”, ka përfunduar Haradinaj.
Leave a comment