Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Kurti mund të ketë ritmin dhe orën e tij, por Kosova nuk ka kohë për të humbur.
Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se është koha e fundit kur Kurti t’i lexojë drejt porositë e miqve dhe të largohet nga temat tensionuese.
“Është koha e fundit që Kurti t’i lexojë drejtë porositë e miqve të palëkundur të Republikës së Kosovës, të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, të ofruara me dashamirësinë dhe mirëkuptimin e aleatëve dhe partnerëve në dëshminë e fundit të Escobar”.
“Është koha e fundit që Kurti të largohet nga temat tensionuese dhe destruktive, ku vegjetojnë liderët pro-rus, sikurse janë dhe do të vazhdojnë të mbesin Dodik dhe Vuçiq”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se ShBA-të edhe këtë herë po inkurajojnë Kosovën t’u qëndrojë zotimeve dhe t’i hapë rrugë afirmimit ndërkombëtar.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe politikëbërësit e saj, edhe kësaj radhe po inkurajojnë Kosovën t’u qëndrojë zotimeve, të hapë rrugë për afirmim ndërkombëtar, për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, për fushatë globale të njohjes, për avancim në integrim evropian dhe për zhvillim social e ekonomik, për vendosmëri në proces të rrugëtimit drejt NATO-s dhe BE-së. Këtu qëndrojnë, këtu i gjejmë dhe këtu na presin miqtë tanë strategjikë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se Kurti mund të ketë ritmin dhe orën e tij, por Kosova nuk ka kohë për të humbur.
“Kosova e ka për detyrim ta bëjë pjesën e saj, dhe ta përqafojë mbështetjen e parezervë të ShBA-ve dhe aleatëve, në mbylljen e plasaritjeve dhe shtigjeve të ndërhyrjeve nga Rusia dhe Kina në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
“Kurti mund të ketë ritmin dhe orën e tij, por Kosova nuk ka kohë për të humbur, veçmas kur porositë dhe pritjet e aleatit tonë janë të qarta dhe të drejtëpërdrejta. Koha është tash!”, ka përfunduar Haradinaj.
Leave a comment