Më 11 gusht 2022, mbreti i lojërave të fatit, Ervis Martinaj, u zhduk në mënyrë misterioze.
Ishte familja e tij që alarmoi policinë e Laçit, pasi kishte humbur kontaktet me 40-vjeçarin, i shumëkërkuar nga policia.
Që prej asaj dite askush nuk di asgjë për fatin misterioz të Martinajt. Ka dyshime se ai është vrarë nga kundërshtarët dhe i është zhdukur trupi.
Ditën e sotme këngëtarja Fjolla Morina ka tronditur me deklaratën e saj.
Ajo pretendon se e di kush është personi që fshihet pas zhdukjes së Martinajt dhe akuzon shtetasin D. K. nga Shijaku.
“Kjo është ora e Vis Martinajt në dorën time, ma ka dhënë në klip. Këta e dinë çfarë kanë bërë me të dhe tani me mua e fëmijën tim çfarë duan të bëjnë?” shprehet këngëtarja.
Edhe pse Policisë së Shtetit iu vendos një ultimatum pre 100 ditësh nga kryeministri Rama për të kthyer përgjigje në lidhje me fatin e Martinajt, duket se policia nuk ka avancuar me hetimet pasi edhe sot pas 10 muajsh nuk ka asnjë përgjigje.
Kur u pa për herë të fundit Vis Martinaj?
Ervis Martianj, për herë të fundit, publikisht në qytetin e Laçit është parë më 18 korrik, datë kjo kur iu dha lamtumira e fundit tre viktimave që u vranë në Fushë Krujë, (kushëririt të tij )Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.
Makina “Toyota Land Cruiser” i blinduar, me të cilin lëvizte Ervis Martinaj, ka shoqëruar të gjithë vijimin drejt banesës së fundit të tre të vrarëve.
Kujtojmë se me makinën “Toyota Land Cruiser” lëvizte edhe Ylli Ibrahimi, i cili njihet si krahu i djathtë i Vis Martinajt bashkë me Klisman Preçin.
Klisman Preçi ishte viktima e radhës e atentateve që po marrin jetë njerëzish në aksin Fushë Krujë-Laç-Lezhë. Bashkë me të ishte dhe Ylli Ibrahimi, por ky i fundit mundi t’i shpëtojë atentatit duke qenë jashtë rrezikut për jetën në spital.
Kush është Ervis Martinaj
Ervis Martinaj, është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin. Ervis Martinaj është përmendur edhe në Gjyqin ndaj Emiliano Shullazit.
Martinaj ka qenë pronar i disa pikave të basteve dhe kazinove dhe është përmendur në 2016 për ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij u lakua edhe për vrasjen e bankierit Artan Santo. Gjatë kontrollit në magazinën e tij në Fushë-Kuqe u gjetën dy skafandra të ngjashme me ato që përdorën vrasësit e bankierit, por ai nuk u implikua në këtë rast, sepse nuk kishte prova.
Po ashtu Martinaj ishte i përfshirë në vrasjen e ndodhur në Bllok, ndërsa pas kësaj ngjarje ai u arrestua por më pas u la i lirë pasi pagoi një shumë të madhe parash. Emri i Ervis Martinajt, doli në skenë edhe pas dëshmisë së vrasësit me pagesë Nuredin Dumani. Ai rrëfeu se Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro, për eliminim e Endrit Dokles, numrit 2 të Bandës së Durrësit.
Leave a comment