Ish-diplomati Petrit Hajdari i ka reaguar ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila tha se Kosova s’mund të bëjë vetëvrasje politike as për miqtë e saj më të ngushtë.
Përmes një postimi në Facebook, Hajdari ka thënë se deklarata e Gërvallës është skandaloze.
Sipas tij, Gërvalla është e padijshme, e padinjitetshme dhe, potencialisht, e manipuluar nga shefi i saj, Kurti, në lëshimin e deklarimeve të tilla skandaloze.
Postimi i plotë:
Jo vetëvrasje për miqtë, por vetëvrasje pa miqtë.
Jam rezervuar nga komentet për MPJD-në, përshkak të çështjes së hapur me ta. Por, skandali i fundit do reagim me patjetër dhe në çdo rrethanë.
Mjaftueshëm skandaloze deklarimet e Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz, janë edhe po të ishin bërë në një postim të thjeshtë në platformat e rrjeteve sociale. Fakti që artikulimet skandaloze si “nuk mund të bëjmë vetëvrasje për miqtë” e propozimi për një nivel tjetër kontrolli për diplomatët e huaj në Kosovë (sepse vendet që i dërgojnë s’na qenkan mjaftueshëm kredibile), janë komentet e një interviste për gazetën prestigjioze austriake Der Standard, ia shton veç më tepër shqetësimin çdo njohësi të këtyre çështjeve.
Gërvalla është e padijshme, e padinjitetshme dhe, potencialisht, e manipuluar nga shefi i saj, z.Kurti, në lëshimin e deklarimeve të tilla skandaloze e pa trohë kujdesi.
Askush nuk po i kërkon Kosovës vetëvrasje, as politike as tjetërfare, Kosovës po i kërkohet veçse koordinim me aleatë kyçë në momente kyçe.
Rruga që ka nisur e padijshmja Schwarz, jo që nuk është vetëvrasje për miqtë, por është vetëvrasje e sigurt politike pa miq fare.
Njeriu që politikën e jashtme të vendit e ka futur në gjendje kome, tani kërkon ta vrasë e t’ia ngulë gozhdën e fundit mbi arkivol.
Këtu e tutje, as dorëheqja nuk mjafton. Por, çfarë mendon kryeministri i vendit? Pse Donika Gërvalla Schwarz është ende aty?
Leave a comment