Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të enjten bëri me dije se ka propozuar një draft për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, dhe se të njëjtin ia ka dërguar krerëve evropianë.
Në Kosovë ky draft nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk gjeti përkrahje. Deri më tani të gjithë ata që janë deklaruar nga VV-ja, përfshirë Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, dhe deputetët e këtij subjekti politik, e kanë kundërshtuar propozimin.
Mirëpo, reagim deri më tani nuk ka pasur nga shefi i tyre, kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka cilësuar si të gabuar e veprim të njëanshëm iniciativën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ditë më parë, në një konferencë për media, bëri të ditur se ua ka dorëzuar Gjermanisë dhe Francës, më saktë kancelarit, Olaf Scholz dhe Konjufca, në një prononcim të shkurtë para gazetarëve pas manifestimit të 145-të të përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit, tha se kryeministri Rama nuk do të duhej të ndërmerrte një iniciativë të tillë pa u ulur e diskutuar paraprakisht atë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Kryeministri shqiptar tha se është sekret, por nënkryetari jonë tha se e ka parë. Shumë drafte kanë qarkulluar deri tash, por asnjëri nuk ka pasur efekt në Kosovë. Nuk besoj se nuk mund të paragjykoj për përmbajtjen. Në parim mendoj që është gabim pavarësisht përmbajtjes”.
“Një defekt është në parim sepse kryeministri shqiptar nuk do të duhej të bënte veprime të tilla pa u ulur me kryeministrin e Kosovës edhe pa i sqaruar të gjitha këto probleme së bashku. Ata takohen shpesh, ky ishte një veprim i anshëm”, ka thënë Konjufca.
Ndërsa, njëjtë si Konjufca, edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në një intervistë për Al Jazzera, nuk e ka përkrahur propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Bislimi thotë se vetëm Kosova mund të negociojë për një gjë të tillë, duke kundërshtuar kështu propozimin e kryeministrit Rama, pasi që thotë se “nuk kërkuan ndihmë”.
“Këto nuk janë negociata mes shqiptarëve dhe serbëve. Vetëm Kosova mund të negociojë”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, kur është pyetur për iniciativën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka potencuar se “nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë”, duke e kundërshtuar kështu këtë nismë, shkruan AP.
Më të ashpër në reagim ishin deputetët e partisë në pushtet, madje kishte prej tyre që përdorën gjuhë tejet të rëndë për ta theksuar kundërshtimin e tyre.
Deputetja Arbëresha Kryeziu në një intervistë për “EuronewsAlbania”, pretendoi se Edi Rama “e do më shumë Serbinë sesa Kosovën”.
Këto komente ajo i bëri derisa po komentonte draftin e Asociacionit të prezantuar nga kreu i ekzekutivit të Shqipërisë.
Sipas saj në situatën aktuale, nuk ka qenë e nevojshme që të vinte një propozim i tillë, pasi që ajo vlerëson se kjo nuk i shërben Kosovës.
“Mendoj që nuk ka qenë fare mirë që në këto momente të na vinte një propozim i tillë prej kryeministrit Rama, pra të themi si person i tretë që po ndërhynë në këtë proces në kuptimin e propozimit të dokumenteve të tilla, personalisht mendoj se nuk i shërbejnë fare Kosovës në këto momente”, ka thënë ajo.
Kryeziu beson që në vend të një propozimi të tillë, Shqipëria sipas saj do të duhej që ta përkrahte Kosovën në veprimet e saj në kuadër të dialogut me Serbinë.
“Unë mendoj se ky veprim nuk do duhej të bëhej fare nga kryeministri Rama, jemi në një pozicion që Shqipëria do duhej ta përkrahte Kosovën karshi veprimeve të veta që ajo po i mbanë sa i përket qasjes me Serbinë tash në kuadër të dialogut. Të mos harrojmë që ky propozimi apo hartimi i këtij draft dokumenti besojë më shumë i shërben Serbisë sesa Kosovës”, potencoi ajo.
Kundërshtimin e tij e ka shprehur edhe deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.
“Qenka shqetësuar kryeministri Edi Rama për shqetësimin e mikut të tij, e që është Asociacioni. Bile e paska marrë mundin me draft-statut. Rama, a keni dërguar tek bashkësia ndërkombëtare ndonjë statut për ndonjë Asociacion për shqiptarët e Luginës?”, ka pyetur ai në Facebook.
“I dashur Kryeministër Rama, e di që në të kaluarën politikanë tanë në Kosovë të kanë ngarkuar me shqetësime të ndryshme, mirëpo kanë ndërruar kohërat dhe personalisht të liroj nga ky shqetësim, sepse Kosova tani ka mjaft njerëz që kujdesen dhe shqetësohen për Kosovën”.
Ndërsa deputeti tjetër i kësaj partie, Armend Muja, ka theksuar se duke dërguar statut për ‘Asociacionin’ në Berlin e Paris, Rama vetëm sa po e shpërfaq dhe forcon Asociacionin e tij me Vuçiqin.
“Fort i kapur diku për krim e korrupsion duhet të jetë Edi Rama gjersa detyrohet t’ia bëjë këtë mënyrë vetes publikisht para gjithë kombit shqiptar”, shkroi ai.
Në një linjë me bashkëpartiakët, ka qenë edhe deputeti Adnan Rrustemi.
“Rama paska dërguar draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe te Scholzi dhe Macroni. Kot i dërgon në Berlin e Paris pa i dërguar njëherë te Dejona Mihali”, ka ironizuar ai.
Ironi me propozimin e Ramës shprehu edhe deputetja Jeta Statovci, e cila në një fotografi të postuar në Facebook ku shihej me disa kolegë të saj të partisë në një kafene të Prishtinës, shkroi “duke draftuar”.
Ndryshe, në duart e krerëve evropianë ka përfunduar një draft i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Dorëzuesi dhe kontribuuesi ka qenë pikërisht kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, që janë dy kumbarët e propozimit franko-gjerman një draft të asociacionit, për të cilën kam vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe palën amerikane”, pohoi fillimisht Rama gjatë një konference për shtyp.
Sipas tij, bëhet fjalë për një draft të punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikan dhe evropian prej kohësh, “gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë”.
“Për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë që e përsëris, bën atë që ka bërë dhe herë të tjera, palët nuk po merren dot vesh as se kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më të merret vesh se çfarë duhet të ketë teksti”, shtoi kreu i Qeverisë.
Për Ramën, “nyja Gordiane e dialogut” do të ishte Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“E kam ditur me kohë që nyja Gordiane e dialogut do të ishte deri në fund asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe bindja ime është se asnjëra nga palët nuk e do asociacionin dhe do të bëjë çmos që ta shtyjë atë në pafundësi, duke mbajtur të hapur krizën me lloj-lloj artificash politike apo teknike”, theksoi në vijim kryeministri.
Kryeministri shqiptar vërejti se bëhet fjalë për një dokument konfidencial, i cili pa diskutim nuk pretendon të jetë “zgjidhja ideale”.
“Ju siguroj që është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionit dhe patjetër merr në konsideratë që asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet apo konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, shtoi ai.
Leave a comment