Lajme

KFOR qorton Kurtin: Që nga 2021’a veç përkeqësim, s’jemi ne çadër sigurie për t’u strehuar pas veprimeve të njëanshme

“KFOR-i nuk është çadër për t’u strehuar pas veprimeve të njëanshme”. Kështu iu drejtua Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, komandanti i Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, Gjeneral Majori italian, Angelo Michele Ristuccia duke folur për gazetën italiane “Corriere”.

Në intervistën e tij të dytë brenda tri ditësh dhe pas plagosjes së rreth 30 ushtarëve të KFOR-it (11 prej tyre italianë) në Zveçan të hënën, Ristuccia i kishte mprehur tonet. Ditë më parë, Ristuccia i tha gazetës italiane “la Repubblica” diçka tejet të frikshme për nga tingëllima: Se po të mos ishte për intervenimin e KFOR-it të hënën, “do të ishim duke mbajtur zi për të vdekur”. Këtu ai kishte ndërmend viktima të mundshme nga Njësitet Speciale të Kosovës dhe protestuesve sulmues barbarë.

Tashmë Ristuccia nuk do t’i kursente fjalët dhe do të lëshohej në vlerësime politike për të identifikuar kush-është-fajtor-për-çka. Me emër të përvetshëm e shënoi Albin Kurtin, e madje edhe përtej. “Që nga 2021 vetëm hapa mbrapsht”, tha ai, derisa vlerësoi se janë bërë përpjekje të mëdha njëzet vjeçare për të arritur “rezultate të rëndësishme”. Këtu komandanti e pranoi se nuk është punë e tij të bëjë vlerësime politike, por se në këso rastesh ku prodhohen pasoja s’ka se si të mos bëjë konstatime të tilla.

Të hënën, tha Rusticcia, “shmangëm një tragjedi”. Shpjegimi i tij ishte kësisoj se pse erdhën siç erdhën gjërat: për shkak të vendimit “të dytë të njëanshëm” të qeverisë kosovare “për të përdorur forcën pa u konsultuar me ne”.

Fjalia e tij do të zhvishej nga ato të zakonshmeve të KFOR-it. Tash ai do t’u binte toneve që pasqyrojnë dritën reale të gjendjes në terren: “Për të qenë edhe më i saktë, them se nëse sot nuk jemi këtu për të mbajtur zi për të vdekurit në mesin e popullatës serbe apo në mesin e policëve shqiptarë etnikë, kjo është për shkak se KFOR-i ndërhyri dhe arriti të rivendosë qetësinë”.

Para më se tri ditësh, Komandanti i KFOR-it, kishte fajësuar dhe tërhequr vërejtjen të dyja palëve me një kërkesë: Merrni përgjegjësi, mos u fshini para narrativëve të rremë. Ishte e padëgjuar më parë që një udhëheqës i forcës paqeruajtëse të jepte konstatime të kësaj natyre.

Në nëntor të vitit të kaluar, edhe ish-Komandanti hungarez i KFOR-it kishte dhënë disa detaje të një krize tjetër në veri asokohe, për çka pati treguar se si i kishte bërë thirrje kryeministrit kosovar, që asokohe të shihej operimi me një forcë speciale konsensuale. Kurti ia kishte kthyer prerazi se “unë nuk negocioj me kriminelë”.

“Qëllimi ka qenë të formojnë njëfarë konsensusi, pasi që edhe serbët e Kosovës kanë interes të eliminojnë grupet aktuale kriminale. Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës, sidoqoftë, ishte se ne nuk negociojmë me kriminelë dhe se policia kryen operacionet e saj ashtu siç u shkojnë për shtati”, pati treguar Ferenc Kajari për median hungareze “Honvedelem”.

Këtu, edhe Ristuccia do të tregonte saktësisht për “kokëfortësinë” e kohëve të fundit, sipas tij, të treguar nga qeveria kosovare.

“Kokëfortësia e autoriteteve vendore shqiptare për të mos vepruar sipas indikacioneve të marra nga partnerët perëndimorë, indikacione që shërbejnë për të lehtësuar dialogun veçanërisht në dritën e progresit të bërë me marrëveshjet në Bruksel dhe Ohër, ka dobësuar shumë ekuilibrin”, i tha ai ditë më parë gazetës italiane “la Repubblica”.

Njëjtë do të shprehej edhe në intervistën e tij të fundit të dhënë mbrëmjen e së shtunës. “Veprimi i dytë i njëanshëm i qeverisë së Prishtinës ishte përdorimi i forcës pa u konsultuar me ne, duke bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi”.

Kurti, i cili asobote opozitare shprehej nga foltorja e Kuvendit të Kosovës se “KFOR-i mbron Rezolutën 12/44” dhe se “KFOR-i nuk mbron pavarësinë e Kosovës” dhe se “kufijtë i Kosovës i sheh si vijë administrative e jo si kufij ndërshtresorë”, megjithatë, tash në çdo paraqitje të tij kërkon nga NATO që të dislokojë më shumë trupa në Kosovë brenda kësaj Rezolute 12/44, rezolutë kjo e vitit 1999 që ende e ka të shkruar Kosovën si “pjesë integrale të Republikës Federale të Jugosllavisë” dhe e cila rezolutë nuk është zhbërë asnjëherë, për shkak të vetos ruse dhe kineze, dy shtete këto anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shkruan Nacionale.

Kurti, do të kërkonte më shumë e më shumë forca, në veçanti gjermane. Kjo dëshirë do t’i plotësohej pas krizës që ngjau në veri, për shkak të vendimit të tij solo e pa mbështetjen e asnjë aleati, e në veçanti të aleatit dhe hisedarin më të madh të sigurisë në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës së Kosovës. Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të lajmëronte për nisjen e 700 trupave shtesë të NATO-s në Kosovë. Kurti këtë do ta mirëpriste.

Por, çka s’do të mirëpritej nga Kurti, dje e shpjegoi shefi i këtij misioni paqeruajtës. “KFOR-i nuk është çadër për t’u strehuar nga veprimet e njëanshme”.

“Asgjë nuk ka ndryshuar për ne dhe asgjë nuk ka ndryshuar pas përplasjeve të 29 majit. Mandati i rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbetet i pandryshuar. Dhe ne jemi gati për çdo rast”, do të shtonte Ristuccia.

 

Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Articles

activeBallinaLajme

Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e rikonfirmon përkushtimin e saj...

activeBallinaLajme

Tentim vrasje në Pejë, policia jep detaje

Të shtunën pas mesnate rreth orës 01:25 ka pasur të shtëna me...

Lajme

FOTO: Katër sekrete për një fizik të jashtëzakonshëm nga Jennifer Aniston

Jennifer Aniston ka zbuluar së fundmi për mediat se çfarë gjërash bën...

Lajme

A janë të dobishme thashethemet në punë? Ja si duhet ti trajtoni bisedat me kolegët dhe të shmangni keqkuptimet mes jush

Le ta pranojmë të gjithë, thashethemet konsiderohen kripa dhe piperi i vendit...