Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën në mëngjes ka dhënë një intervistë në BBC Radio.
Aty ai ka thënë se kryetarët e komunave në veri të vendit duhet të jenë në objektet komunale, dhe kështu do të vazhdojë të jetë. Së paku deri të largohen bandat kriminale në veriun e vendit.
“Në këto tri komuna ne kemi tri objekte komunale dhe nëse jo kryetarët, kush duhet të jetë aty. Dhe nëse këto komuna nuk janë për kryetarët, për kënd janë? Kryetarët janë në zyrat e tyre, kështu duhet të jetë dhe të qëndrojë. Ata janë struktura ilegale të ndikuara nga Beogradi që duan ta destabilizojnë vendin tonë. Ne duam republikë demokratike, dhe në këto objektet ne mund ta zbusim numrin e policisë, por së pari bandat që kanë sulmuar gazetarët, policinë dhe KFOR-it duhet të shkojnë në Serbi ose në burg”, tha Kurti, transmeton Nacionale.
Këtu ndërhyri gazetari i cili e pyeti se a do të thotë kjo që nuk është i gatshëm për kompromis.
“Unë nuk mund të bëj kompromis me republikën demokratike, duke qenë kryheministër i republiëks më demokratike në Ballkan. Vuçiq është autokratik. Serbia nuk lejon serbët në Kosovë të kenë më shumë se një parti”, tha ai.
“Unë kam ministër serb Nenad Rashiq, që nuk është në Listën Serbe, por është i urryer nga Lista Serbe”, tha Kurti.
Kryeministri i vendit tha se nuk do të lejojë që të dëmothet Kosova. Tregoi detaje nga koha kur kanë dhënë dorëheqje kryetarët serbë dhe policët serbë.
Gazetari e pyeti Kurtin nëse shqetësohet nga qëndrimet e ndërkombëtarëve, të cilët e ndihmuan Kosovën në luftë dhe në pavarësi.
“Ne konsiderojmë Amerikën dhe BE-në, botën perëndimore si partner të padiskutueshëm. Por ne nuk mund të lejojmë që republika demokratike të bie në duart e milicisë fashiste, që kryesohen nga ministri i propagandës së Millosheviqit. Ata nuk janë distancuar nga Millosheviqi, nuk janë distancuar nga Putini, Serbia është e vetmja që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Disa mund të komplikojnë, por situata është e thjeshtë”, deklaroi Albin Kurti.
Para Kurtit në BBC, foli edhe emisari amerikan Gabriel Escobar, i cili kërkoi që Kosova të nis menjëherë punën për krijimin e Asociacionit. Gjithashtu që Policia të tërhiqet nga komunat, dhe të përgatiten zgjedhjet e reja.
Leave a comment