Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është i vetëdijshëm dhe se i kupton shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet e djeshme në veri, por se çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve.
Ai ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre.
“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë.
Andaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve, ftoj të gjithë, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka bërë me dije se të gjitha rrugët në veri janë të kalueshme, derisa ka falenderuar pjesëtarët e Policisë së Republikës së Kosovës “për qëndrimin e tyre profesional, shtetëror dhe në mbrojtje të sundimit të ligjit”.
“Ata, siç dëshmojnë çdo ditë, e dëshmuan edhe dje, që janë të gatshëm për t’i shërbyer rendit, ligjit e Republikës si profesionistë, të patrembur e dinjitozë, në afirmimin e një ambienti multi-etnik të sigurisë, pavarësisht kushteve të rënda që shkaktuan grupet e menaxhuara nga struktura parapolitike në atë pjesë të vendit”, thuhet në postimin e Kurtit.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Falbini2017%2Fposts%2Fpfbid02mLwosTd5v4VD45LpZoCRNpMucuT6DcWQfBsCd2ELE6UuLGmUGYHk4TnJjvWmAQ3al&show_text=true&width=500 Ndryshe, Kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, kanë arritur të futen dje në zyrat e tyre, me asistim të Policisë. Grupe të banorëve vendas në këto komuna të banuara me shumicë serbe, kundërshtuan shkuarjen e tyre në zyrat që më parë përdoreshin nga zyrtarët serbë. Policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën gurë në drejtim të policisë dhe dogjën disa makina.
Leave a comment