Në një nga vendet me zhvillimin më të shpejtë në botë, ekziston një monument i gdhendur me gur ranor, i rrethuar nga pemë hurmash dhe rrugë të pluhurosura. Kjo është Hegra. Njohur gjithashtu si al-Hijr ose Mada’in Saleh, Hegra është një xhevahir i vërtetë arkeologjik në Arabisë Saudite dhe vendi i parë arab i regjistruar në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
I ndërtuar midis shekullit të parë para Krishtit dhe shekullit të parë të erës sonë, ky qytet antik përfshin një nekropol mbresëlënës me varre të gdhendura në gur ranor dhe të vendosura përballë peizazhit të shkretëtirës së gjerë të Arabisë Saudite. Petra, vendi i famshëm në Jordani, ishte kryeqyteti i popullit nabatean, ndërsa Hegra ishte qyteti jugor i mbretërisë, derisa u braktis në shekullin e 12-të. Mirëpo nëse Petra është admiruar si një nga shtatë mrekullitë e botës moderne nga miliona vizitorë, Hegra u hap për vizitorët vetëm në vitin 2019.
Jashtë hijeve të historisë
Nabateanët besohet se ishin fise që merreshin shumë me tregti dhe kryesisht shisnin produkte aromatike, si temjanë dhe erëza, shumë prej të cilave përdoren në ritualet fetare. Por pjesa më e madhe e kulturës së tyre ka humbur në histori. Në fillim të vitit 2023, arkeologët rindërtuan fytyrën e një gruaje nabateane, mbetjet e së cilës u gjetën në shkretëtirë. Tashmë, shtimi i investimeve në arkeologji nga qeveria saudite nënkupton se nga qytetërimi i Hegrës do të dalin në dritë çdo ditë fakte të reja.
“Të gjithë kemi dëgjuar për asirianët, të gjithë kemi dëgjuar për Mesopotaminë. Por nabateanët iu kundërvunë romakëve dhe grekëve, pasi kishin një sistem të pabesueshëm tregtie nëpër shkretëtirë, dhe kontrollonin shumicën e rrugëve më të rëndësishme tregtare.”
Wayne Bowen, profesor i historisë në Universitetin e Floridës Qendrore
Megjithëse nabateanët nuk lanë pas dokumente të shkruara, një nga arritjet e kulturës së tyre vazhdon të luajë ende një rol të madh në rajon: alfabeti që hodhi themelet e arabishtes moderne.
Në tokë ranore
Me të mbërritur në qendrën e vizitorëve, mysafirët priten me hurma dhe filxhanë kafeje saudite. Ashtu si shumë vende të tjera të ngjashme, Hegra këshillohet të vizitohet herët në mëngjes ose në mbrëmje, për të mos përjetuar diellin përvëlues. Nabateanët ishin një popull nomad, kështu që nuk ka mbetur shumë nga jeta e tyre e përditshme, për t’u parë nga turistët. Megjithatë, ata kanë mundësi të shohin peizazhet e mrekullueshme të shkretëtirës dhe sigurisht nekropolet unike.
Në total janë rreth 115 varre. Më i famshmi prej tyre është Qasr al-Farid (arabisht “Kështjella e vetmuar”), i cili qëndron i vetëm, me një strukturë të vendosur përballë horizontit prej rëre. Një varr tjetër është hapur për të gjithë kureshtarët që duan të shohin brenda. Zona rreth kornizave të dyerve mund të tregojë emrat e njerëzve të varrosur atje. Detajet e projektimit japin të dhëna se ku mund të kenë udhëtuar banorët. Imazhet e feniksëve, shqiponjave dhe gjarpërinjve nënkuptojnë njohjen me kulturat e largëta si Greqia dhe Egjipti.
Shumë vizitorë kombinojnë udhëtimin e tyre në Hegra me vizitat në vendet më të vogla historike si Dadan dhe Jabal Ikmah. Në luginën e Xhebel Ikmah, të cilën sauditët e quajnë “bibliotekë në ajër të hapur”, mund të shihni një sërë mbishkrimesh të gdhendura në aramaisht, dadanitisht, thamudik, minaik dhe nabate. Përkthimet jepen në arabisht, anglisht dhe nganjëherë frëngjisht, pasi murgjit francezë ishin vizitorë të hershëm në këtë zonë.
Këto kohë, Petra po lufton me dyndjen e turistëve dhe po përpiqet të kufizojë një numër të konsiderueshëm njerëzish, gjë që i jep mundësinë Hegrës të njihet dhe të tërheqë më shumë turistë.
Leave a comment