Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) Samantha Power, qëndroi në Serbi të martën dhe të mërkurën.
Nga Beogradi ajo pritet të vijë edhe në Kosovë për t’u takuar me udhëheqësit e shtetit.
Në kryeqytetin serb mes tjerash Power, takoi presidentin Aleksandar Vuçiq e kryeministren Ana Bërnabiq.
Dialogu Kosovë-Serbi është në krye të agjendës së zyrtares së lartë të administratës së presidentit Joe Biden.
“Porosia jonë kryesore në emër të presidentit Biden është se sa e rëndësishme dhe sa shumë ne duam të përkrahim këtë proces të normalizimit dhe sa të inkurajuar ne jemi nga përparimi që është bërë. E dimë se ka shumë skepticizëm nëse kjo përfundimisht do prodhoj një zgjidhje, po ashtu shumë skepticizëm se ku rrugët do dërgojnë për Serbinë, për Kosovën”, tha Power të martën mbrëma në Beograd, para gazetarëve.
E në një konferencë që e mbajti në Beograd pas takimeve të mërkurën, siç raportoi agjencia e lajmeve “Fonet”, Power shtoi se duhet “guxim politik që në dialog të arrihet zgjidhje e qëndrueshme, e pranueshme për dy palët”.
“Do të duhet guxim politik për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, të pranueshme për të dyja palët, por mbështetja nga Shtetet e Bashkuara do të jetë e palëkundur në javët e ardhshme, ndërsa Serbia dhe Kosova punojnë për të hedhur hapat e ardhshëm”, u tha Power.
Shefja e USAID-it ka potencuar se rajoni (Ballkani Perëndimor) duhet të njihet si vend që është në paqe të përhershme, dhe se kështu bëhet integrimi ekonomik e vijnë investime. /Klankosova.tv
Leave a comment