Së paku 12 palestinezë, përfshirë tre komandantë të grupit militant, Xhihadi Islamik, u vranë nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës.
Autoritetet palestineze të shëndetësisë thanë se tri gra dhe tre fëmijë janë në mesin e të vrarëve.
Së paku 20 persona të tjerë u plagosën.
Izraeli tha se ka nisur një operacion që ka në shënjestër militantët, të cilët përbëjnë kërcënim të menjëhershëm për qytetarët e tij.
Xhihadi Islamik u zotua se do të hakmerret dhe militantët me bazë në Rripin e Gazës pritet ta sulmojnë Izraelin me raketa.
Zyrtarët izraelitë po përgatiten për disa ditë luftime, raportojnë korrespondentët nga terreni.
Ushtria izraelite tha se përveç tre militantëve, avionët e saj kanë goditur edhe dhjetë lokacione që përdoren për prodhimin e armëve, ashtu si edhe gjashtë objekte ushtarake të Xhihadit Islamik.
Krahu ushtarak i Xhihadit Islamik, Brigada al-Quds, konfirmoi se tre komandantë janë në mesin e të vrarëve.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se “çdo terrorist që i dëmton qytetarët izraelitë, do të pendohet”./REL
Leave a comment