Lajme

Serbia vazhdon ‘avazin e vjetër të shkeljes së marrëveshjeve’

Për Qeverinë e Kosovës, Serbia po vazhdon “avazin e vjetër” të “shkeljeve të njëpasnjëshme” të marrëveshjeve të dakorduara.

“Ajo vazhdon të dëshmojë se nuk është palë që i respekton parimet e mirëbesimit dhe, në të njëjtën kohë, ofendon dhe shpërfill angazhimin e komunitetit ndërkombëtar për arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve”.

Reagimi i zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për “Radion Evropa e Lirë” pason përpjekjet e deklaruara të Serbisë për të “ndaluar procedurën” e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Këto paralajmërime u bënë më 18 prill, para nisjes së ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, për në selinë e kësaj organizate ndërkombëtare në Strasburg.

Një veprim i tillë, megjithatë, bie ndesh me një marrëveshje ndërkombëtare që Kosova dhe Serbia kanë arritur më 27 shkurt.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve – zbatimin e së cilës Prishtina dh Beogradi e kanë pranuar në mars – parasheh, mes tjerash, që Serbia të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Garantues i kësaj marrëveshjeje është Bashkimi Evropian dhe ajo ka marrë mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara.

Kryeziu thotë se “partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Franca, Gjermania, Italia dhe ShBA-ja, duhet ta dënojnë sjelljen e Serbisë”.

“Kosova mbetet pala e vetme konstruktive, para takimeve, gjatë negociimit dhe pas dakordimit të marrëveshjeve”, ka thënë ai.

Analisti i politikës së jashtme në Beograd, Boshko Jakshiq, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se njoftimet e Serbisë për bllokimin e Kosovës janë një “lëvizje e panevojshme” që “krijon përshtypjen se Serbia pranon një gjë, e pastaj punon kundër asaj gjëje”.

Prej se ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, Kosova bën përpjekje për t’u anëtarësuar në organizata dhe institucione ndërkombëtare – gjë të cilën Serbia e kundërshton me mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës.

Për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, Kosova ka paraqitur kërkesë në maj të vitit 2022. Votimi për këtë ende nuk është futur në rend dite.

Para nisjes për në Strasburg, ku u shënua njëzetvjetori i anëtarësimit të Serbisë në Këshillin e Evropës, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë nuk ka saktësuar se si ministri Daçiq do të “përpiqet ta ndalojë procedurën për pranimin e Kosovës”.

Gjatë fjalimit të tij në seancën ceremoniale në Strasburg, kjo çështje nuk u përmend.

Ai ka thënë se “për Serbinë është e rëndësishme që standardet e Këshillit të Evropës të zbatohen në territorin e Kosovës dhe Metohisë”.

Serbia, e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, e konsideron si territor të sajin “krahinën e Kosovës dhe Metohisë”.

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq, nuk e ka përmendur Kosovën në deklaratën e saj të shpërndarë në rrjetet sociale.

Ajo ka thënë se ka pasur një “takim të mirë dhe produktiv” me ministrin Daçiq, i cili është mbajtur me dyer të mbyllura.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjeve të “REL”-it për vizitën e Daçiqit në Strasburg.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve u pranua për herë të parë në shkurt nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërsa aneksi për zbatimin e saj u pranua nga të dy udhëheqësit gjatë një takimi në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në muajin mars.

Më 18 prill, Bashkimi Evropian ka formuar një Komitet të Përbashkët për të monitoruar zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Analisti politik, Boshko Jakshiq, ka thënë se veprimet e Daçiqit në lidhje me Këshillin e Evropës janë “vetëm një episod që nuk do të ketë domethënie më të madhe”.

“Serbia nuk ka bërë asgjë që mund të thuhet se ka shkelur formalisht marrëveshjen, por vetë paralajmërimi [i Daçiqit] është në kundërshtim me frymën e propozimit evropian [marrëveshjes] për të cilin ka rënë dakord Beogradi”, ka thënë Jakshiq.

Në përpjekjet e saj për ta bllokuar pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Serbia ka pasur aleate Rusinë.

Por, Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Pa Rusinë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Marrë parasysh se vendimet merren me shumicën e votave të shteteve anëtare, mundësia e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është reale, ka thënë Jakshiq. Prandaj, nismën e Serbisë ai thotë se e sheh si “të kotë”.

“Serbia nuk mund të fitojë absolutisht asgjë nga kjo. Vetëm mund të humbasë. Ajo humbet besueshmërinë, vlerësimin diplomatik…”, ka thënë Jakshiq.

Çfarë i parapriu nisjes së Daçiqit për në Strasburg?

Para se të paralajmërohej se Daçiqi do të “përpiqet ta ndalojë procedurën për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, vetë ai ka thënë më 17 prill se mund të mos shkojë në Strasburg.

Ai ka thënë se “nuk e ka ndërmend të shkojë në Strasburg të martën… nëse Kosova do të pranohet në atë institucion një ditë më vonë”.

Daçiqi ka thënë fillimisht se ka njoftime se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do t’i fillojë procedurat për pranimin e Kosovës në atë institucion, por më vonë e mohoi këtë informacion.

Jakshiqi ka thënë se veprimet e kryediplomatit serb duken “joserioze”. Ai i interpreton ato si “mungesë të një politike të qëndrueshme diplomatike”.

“Në shumë mënyra, kjo konfirmon se autoritetet në Serbi janë nervoze dhe nuk kanë vendime të qëndrueshme. Ky është një shembull i mungesës së një plani të qartë veprimi”, ka thënë Jakshiq.

Sipas tij, Perëndimi nuk ka qenë “asnjëherë më i vendosur” për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Çfarë tha e djathta në Serbi?

Partitë e djathta opozitare në Serbi, ka thënë se qeveria serbe, duke pranuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ka lehtësuar dhe përshpejtuar pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Kryetari i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Millosh Jovanoviq, ka thënë se është “jashtëzakonisht logjike” që Perëndimi ta përshpejtojë pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës, sepse presidenti serb “është zotuar se Beogradi nuk do ta kundërshtojë”.

Ai e ka cilësuar veprimin e ministrit të Jashtëm serb si “të pahijshëm, të butë dhe të turpshëm”.

Udhëheqësi i lëvizjes parlamentare të djathtë – Dveri, Boshko Obradoviq, ka thënë se po fillon zbatimi i një pjese të marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Detyra e ministrit të Punëve të Jashtme është pikërisht e kundërta: ta kundërshtojë atë në mënyrë aktive, kudo”, ka thënë Obradoviq.

Partitë e djathta në Serbi e kundërshtojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kërkojnë anulimin e saj.

Çfarë është Këshilli i Evropës?

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, me seli në Strasburg të Francës. Ai është themeluar në vitin 1949.

Këshilli i Evropës mbron lirinë e fjalës dhe medias, si dhe pozitën e barabartë të komuniteteve pakicë në shtetet anëtare të kësaj organizate.

Këshilli i Evropës, gjithashtu, drejton një fushatë rreth mbrojtjes së fëmijëve, kundërshton gjuhën e urrejtjes dhe mbron të drejtat e romëve.

Ai i ndihmon vendet anëtare në luftën kundër korrupsionit dhe terrorizmit, si dhe në zbatimin e reformave në fushën e drejtësisë.

Grupi i ekspertëve kushtetues në Këshillin e Evropës, i cili njihet edhe si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për vende të ndryshme të botës.

Si organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të miratojë ligje, por ka kapacitete të promovojë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga shtetet anëtare për tema të ndryshme. Dy organet kryesore të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Articles

activeBallinaLajme

Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e rikonfirmon përkushtimin e saj...

activeBallinaLajme

Tentim vrasje në Pejë, policia jep detaje

Të shtunën pas mesnate rreth orës 01:25 ka pasur të shtëna me...

Lajme

FOTO: Katër sekrete për një fizik të jashtëzakonshëm nga Jennifer Aniston

Jennifer Aniston ka zbuluar së fundmi për mediat se çfarë gjërash bën...

Lajme

A janë të dobishme thashethemet në punë? Ja si duhet ti trajtoni bisedat me kolegët dhe të shmangni keqkuptimet mes jush

Le ta pranojmë të gjithë, thashethemet konsiderohen kripa dhe piperi i vendit...