Moslicencimi i Federatës se Futbollit të Kosovës, ndjekja penale e zyrtarëve të saj, arrestimi i kryetarit Agim Ademi, akuzat për kurdisje në futbollin kosovarë, e shumë skandale tjera që përfshijnë këtë institucion. Por, FFK-ja zgjedh të krenohet me një vjetorin e zgjedhjes së Agim Ademit në krye të federatës.
Ndonëse kuvendi zgjedhor ishte i kontestueshëm nga shumë klube, FFK-ja ka vendosur të krenohet me mbajtjen dhe zgjedhjen e Agim Ademit në krye të këtij institucioni.
“Sot u bë një vit nga Kuvendi Zgjedhor i FFK-së, në të cilin presidenti Agim Ademi është zgjedhur me shumicë dërrmuese të votave të delegatëve për mandatin e tij të dytë katërvjeçar”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Me moton “Bashkë për Futbollin”, Federata e Futbollit e Kosovës ka paraqitur të arriturat e Agim Ademit për një vit, teksa ka zgjedhur të “mbyll sytë” drejt zhvillimeve skandaloze tash e sa kohë në këtë institucion.
Teksa javë më parë kryetari i federatës, Agim Ademi është arrestuar nga Policia e Kosovës, e kur vetëm dy ditë më parë zyrtarë të FFK-së janë hetuar për zhvatje e kryerjen e veprave tjera penale, FFK-ja ka vendosur të krenohet me zgjedhjen e Agim Ademit.
Me projekte fillestare, e rindërtimin e disa fushave të ndërtuara kohë më parë, FFK-ja është krenuar në njoftimin e tyre.
“U rindërtuan fushat e KF Ballkani, KF Flamurtari, KFF Bazeli 2015, Lidhjes Rajonale të Pejës në Brestovik, fusha në Bardh të Madh, në Obiliq, Ratkoc, Fushë Kosovë, Vitomiricë dhe fusha për personat me nevoja të veçanta në Bërnicë”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e FFK-së.
Kur nuk ka as edhe një reagim zyrtarë nga FFK-ja lidhur me zhvillimet e fundit skandaloze në këtë institucion, drejtuesit e saj kanë zgjedhur të paraqesin si të arritura vizitat e Infantinos e Zvonimir Boban.
“Në këtë periudhë për vizitë në Kosovë për herë të parë qëndroi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino. Një tjetër vizitë e rëndësishme ishte edhe ajo e legjendës Zvonimir Boban, në cilësi të shefit të futbollit në UEFA”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e FFK-së.
Derisa klubet e futbollit në Kosovë janë duke shkuar drejt kolapsit për shkak të mos përfitimit nga Ligji i Sponzorimit për arsye se Federata e Futbollit e Kosovës nuk ka plotësuar kriteret e licencimin, FFK-ja ka heshtur duke mos reaguar asnjëherë, thekson paparaci.
Federata më e madhe në Kosovë është njëra prej federatave të vetme që nuk e ka arritur akoma licencimin nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit.
Moslicencimi i FFK-së i ka quar klubet e futbollit drejt krizës për shkak se ato nuk mund të përfitojnë nga Ligji për Sponzorizim.
Duke i dëshiruar edhe shumë vite tjera suksese, përmbyllet lajmi i FFK-së për një vjetorin e Agim Ademit.
“Kështu do të vazhdojmë edhe në vitet në vazhdim, me synimin e vetëm – ta çojmë futbollin tonë në një nivel tjetër”.
Leave a comment