Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka pritur të dielën në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin e ka lavdëruar për punët e mira që është duke bërë qeveria e drejtuar nga ai.
Ajo ka thënë se Kuvendi i Shqipërisë mbështet perspektiven euroatlantike të Kosovës, duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë.
“Mbështesim dialogun midis Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjellë mes dy vendeve, vlerësojmë planin evropian si një pikënisje e mirë për dialogun dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe ShBA-së në zbatimin e aneksit të këtij plani. Zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike”, ka shkruar Nikolla në “Facebook”.
Postimi i plotë i Nikollës:
Një takim vëllazëror me kryeministrin e Kosovës, z. Albin Kurti, në Kuvendin e Shqipërisë.
Përgëzime kryeministrit Kurti për punët e mira që po bën Qeveria e Kosovës si edhe durimin, qetësinë, maturinë dhe qëndrimet e guximshme në bashkëpunimin me BE-në e ShBA-në për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
Kuvendi nxit e mbështet bashkëpunimin e shkëlqyer Shqipëri-Kosovë në të gjitha fushat dhe mbështesim vendimet e Qeverisë së Kosovës, si vendime të një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe të një shteti sovran dhe të pavarur.
Mbështesim perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe lobojmë për njohjet e reja ndërkombëtare, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, OKB e organizatat ndërkombëtare.
Mbështesim dialogun midis Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjellë mes dy vendeve, vlerësojmë planin evropian si një pikënisje e mirë për dialogun dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe ShBA-së në zbatimin e aneksit të këtij plani.
Zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike.
Leave a comment