LajmeShendetesi

Intoleranca në ushqim

Agron M. Rexhepi, MD, MSc, PhD

Çdoherë e më shumë paraqiten – diagnostikohen sëmundje të reja dhe të panjohura deri më tani. Ndoshta shumë prej tyre kanë rënduar shëndetin e njeriut edhe më parë, por nuk ka pasur mundësi diagnostikimi çfarë ka sot. Por, me siguri të plotë mund të konkludojmë se dita-ditës po paraqiten edhe shumë gjendje të reja patologjike, që mund të vijnë si pasojë e shprehive të këqija, ndotjes së ambientit, mos aktivitetit fizik dhe kequshqyeshmërisë. Kur është fjala te kequshqyeshmëria, kurrë dhe në asnjë drejtim tjetër jetësor, nuk janë bërë gabime më të mëdha sesa që janë bërë dhe fatkeqësisht po vazhdojnë të bëhen në lëmin e të ushqyerit. Çdo ditë e më shumë, qoftë për shkak të moskujdesit tonë apo të faktorit imponues, ne po helmohemi në vazhdimësi me konsumimin e ushqimeve gjenetikisht të modifikuara dhe të intoksiskuara me pesticide, herbicide, hormone dhe antibiotikë. Me qëllim të përfitimeve materiale, njeriu po vazhdon me apo pa vetëdije, të kontaminon pothuajse të gjitha llojet e ushqimeve që ne i konsumojmë. Nëse këtij fakti ia shtojmë edhe faktin tjetër se ne, për gjithçka mund të gjejmë kohë, por jo edhe për një ushqyeshmëri të shëndetshme, atëherë me plotë të drejtë mund të konstatojmë se problemi i kequshqyeshmërisë dita-ditës po bëhet faktor-lider i prishjes (rrënimit) të mirëqenies sonë bio-psiko-sociale.

Si me dhe çka ushqehemi (në kuptimin cilësor, sasior dhe kohor) pa dyshim se ashtu do ta kemi edhe shëndetin.

Çrregullimet më të shpeshta shëndetësore të traktit (sistemit) tretës të njeriut, pa marrë parasysh moshën dhe gjininë janë:

  • Alergjia në ushqim;
  • Intoleranca në ushqim.

Këto dy kuptime (nocione) për shkak të simptomatologjisë (shenjave klinike) të ngjashme mund të ngatërrohen, e që në realitet, diametralisht dallojnë nga njëra-tjetra. Diagnostikimi diferencial (dallimi ndërmjet alergjisë dhe intolerancës në ushqim) bëhet përmes disa procedurave:

  • Dieta eliminuese – formë joinvazive diagnostikuese, ku nga menyja ditore në mënyrë selektive largohen ushqimet e dyshimta, për ta vërtetuar se cili ushqim është shkaktar i problemit. Sipas rezultatit hartohen këshillat adekuate nutritive.
  • Analiza e ajrit gjatë ekspiriumit (frymënxjerrjes) – bëhet me qëllim të diagnostikimit të ndjeshmërisë (intolerancës) në karbohidrate (laktozë, fruktozë).
  • Analizat biokimike – vlerësohet se cili lloj i antitrupave (imunoglobulinave) është i rritur (te alergjia rritet numri i imunoglobulinave E, për dallim nga intoleranca në ushqim, ku rritet numri i imunoglobulinave G).
  • Koha e lajmërimit të shenjave të para patologjike – te alergjia mund të lajmërohen menjëherë apo pas një kohe të shkurtër, ndërsa te intoleranca shenjat e para mund të lajmërohen pas një kohe të shkurtër deri në disa orë (deri në 72) pas marrjes së ushqimit ndaj të cilit organizmi reagon me ndjeshmëri.
  • Sasia e ushqimit që e shkakton problemin – te alergjia, sasia shumë e vogël (në gjurmë) e ushqimit mund të provokon reaksione të shumta në organizëm, për dallim nga intoleranca, që në sasi të vogël mund të mos lajmërohen shenjat patologjike.
  • Reaksionet e organizmit – në rastet e alergjisë, reaksionet e organizmit si kundërpërgjigje mund të jenë shumë shqetësuese dhe të rrezikshme për jetë. Ndërsa, te intoleranca në ushqim, reaksionet e organizmit mund të jenë më pak shqetësuese dhe më pak të rrezikshme për jetë, krahasuar me ato të alergjisë.

Shenjat klinike të intolerancës në ushqim:

  • Problemet digjestive (ulcera në gojë, fryrje, dhimbje spazmiku në formë të therjes së barkut, sindroma irrituese e zorrëve, thartinë, diarreja, kapsllëku);
  • Probleme respiratorë (rinit, sinusit, faringit, astma, kolli i thatë i vazhdueshëm);
  • Probleme të sistemit nervor (ankisozitet, depresion, kokëdhimbje, migrenë, stres i vazhdueshëm);
  • Aritmi kardiake;
  • Infeksione renale;
  • Lodhje e përgjithshme;
  • Dhimbje e nyjëtimeve etj.

Ushqimet që konsiderohen si shkaktarë potencial të intolerancës në ushqim janë:

Gruri, elbi, thekra dhe të gjitha derivatet e tyre (mielli, makaronat, pastat, picat, ëmbëlsirat, biskotat, si dhe të gjithë artikujt ushqimorë që e kanë të shtuar glutenin), kuskusi, niseshte gruri, salcë soje, qumështi i lopës, mishi i procesuar, ushqimet e konservuara, frutat agrume (limoni, portokalli, mandarina), dredhëzat, domatet, qershia, frutat arrore, perimet, lëngjet e pemëve, çaji, kafeja, vera, disa erëza, brokolli, lakra, vaj liri, kërpudha, shafrani, boronicat, brusnica, alkooli, kafeina, ëmbëltuesit artificial, histamina natyrale, benzoati, acidi salicilik, ushqimet e kontaminuara, konzervansët dhe shtresat artificiale (aditivët) në ushqim.

Ndërsa, alergjia në ushqim mund të vjen si pasojë e provokimit dhe përgjigjes imunologjike, ndërsa intolernaca mund të vjen si pasojë e:

  • Deficiencës së enzimeve të cilat bëjnë tretjen e plotë të ushqimeve. Absorbimi dhe kalimi në gjak i materieve ushqyese, jo të tretura si duhet, bënë që të aktivizohen antitrupat mbrojtës të organizmit (imunoglobulat G), të cilat duke dashur ta mbrojnë organizmin nga këta “agjentë”, shkaktojnë rëndim të shëndetit në forma të ndryshme. Në kushte normale, materiet ushqyese të patretura si duhet, nuk absorbohen në organizëm, por duke dhënë probleme të zorrëve (enterit, colit) nxirren jashtë. Absorbimin e këtyre materieve ushqyese jo të tretura sa duhet, e mundëson rritja e lëshueshmërisë absorbuese të organeleve të zorrëve, që janë përgjegjëse për absorbimin e materieve ushqyese (villi intestinalis). Ky keqabsorbim mund të bëhet si pasojë e rrezatimit të shtuar, infeksionit të zorrëve apo përdorimit “të tepruar dhe të pakontrolluar” të antibiotikëve.
  • Veprimet farmakokimik – disa substanca si p.sh. histamina, benzoati dhe acidi dalicilik gjinden në formë natyre në disa ushqime (frutat agrume, dredhëza, domate, qershia, frutat arrore, perimet, lëngjet të pemëve, çaj, kafe, verë, erëza etj.). Ndjeshmëria ndaj këtyre substancave farmakologjike bënë që të lajmërohen shenjat e intolerancës (të ndjeshmërisë) ndaj frutave që e përmbajnë këtë substancë.

Përderisa, personat me alergji duhet që pothuajse gjatë tërë jetës së tyre të kenë kujdes në zgjedhjen e ushqimit, personat e me intolerncë në ushqim, varësisht nga shkalla e intolerancës me një abstenim të përkohshëm (disa javë apo muaj) të ushqimit “problematik” dhe me fillimin e rimarrjes së tij me kujdes dhe sasi të paktë mund të tejkalohet ky problem.

Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Articles

activeBallinaLajme

Kurti: Po punojmë pa u lodhur çdo ditë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e rikonfirmon përkushtimin e saj...

activeBallinaLajme

Tentim vrasje në Pejë, policia jep detaje

Të shtunën pas mesnate rreth orës 01:25 ka pasur të shtëna me...

Lajme

FOTO: Katër sekrete për një fizik të jashtëzakonshëm nga Jennifer Aniston

Jennifer Aniston ka zbuluar së fundmi për mediat se çfarë gjërash bën...

Lajme

A janë të dobishme thashethemet në punë? Ja si duhet ti trajtoni bisedat me kolegët dhe të shmangni keqkuptimet mes jush

Le ta pranojmë të gjithë, thashethemet konsiderohen kripa dhe piperi i vendit...