Agjërimi ka dobi të shumta shëndetësore.
Kur njeriu e pakëson ushqimin, ka dobi të shumta shëndetësore, kështu e lë të qetë aparatin tretës për një kohë të caktuar, pengon që në organizimin e tij të mblidhen lëngje e mbeturina që e dëmtojnë trupin e tij.
Kështu shohim se sa e madhe është urtësia e Allahut në ligjet, dispozitat e adhurimet të cilat ua ka ligjësuar robërve të Tij, se sa të dobishme janë ato, se sa përmirësuese janë për njeriun dhe shoqërinë.
Stërvitja e vetës për vetëkontroll (mbajtje për frerë)
Kur njeriu arrin ta kontrollojë nefsin (veten, shpirtin) e tij, ka mundësi ta drejtojë nga punët e dobishme, me të cilat arrin lumturinë në këtë botë dhe në tjetrën. Ne e dimë se “shpirti (i njeriut) është fort i prirur për të keqe, përveç atij që e mëshiron Zoti im.” (Jusuf 53).
Nëse ai ia liron frerët vetes së tij, pa dyshim se ajo do ta dërgojë drejtë humnerave të shkatërrimit, e nëse arrin ta kontrollojë dhe mbizotërojë atë, patjetër se do ta detyrojë atë (shpirtin, veten e tij) të shkojë (rrugëtojë) drejt qëllimeve e gradave më të larta.
Prej urtësive që përfshihet nën këtë urtësi është: thyerja e nefsit të tij. Kështu, njeriu arrin ta thyejë ashpërsinë e shpirtit të tij, e largon nga mendjemadhësia e mburrja, pastaj e detyron që t’i bindet e nënshtrohet të vërtetës dhe që të zbutet (të jetë i butë) ndaj krijesave të Allahut. Kur njeriu ha ushqim deri në ngopje dhe pi derisa t’i kalojë etja, po ashtu bën marrëdhënie intime me bashkëshorten, këto e shtyjnë drejt një ndjesie kryelartësie e mendjemadhësie, edhe ndaj të vërtetës, por edhe ndaj krijesave.
Kjo sepse shpirti i njeriut i dëshiron këto gjëra, e kur i dëshiron (i ka synim) atëherë angazhohet në arritjen e tyre, dhe kur i vjen mundësia për këtë atëherë sheh se ka fituar, ngase ka arritur diçka që ka dashur. Në këtë mënyrë, gëzohet me gëzim i cili është i nënçmuar në Islam.
Po ashtu, kalon në mendjemadhësi, duke u bërë kjo gjë shkak që pastaj të shkojë drejt shkatërrimit. I ruajtur dhe i mbrojtur është vetëm ai të cilin Allahu e ka ruajtur prej të këqijave të shpirtit të tij.
Leave a comment