Nga Tirana ku ndodhet në vizitë zyrtare, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka dhënë mesazhe që ndërlidhen me Kosovën dhe procesin e dialogut të saj me Serbinë.
Vetëm dy ditë para takimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, e ku pritjet janë që Serbia e Kosova të nënshkruajnë planin e zbatimit të propozimit franko-gjerman, të prezantuar nga BE-ja, Borrell ka thënë se pret veprime konkrete nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme është shprehur që pritjet e tij janë që të shtunën në Ohër, Kurti e Vuçiq, do të pajtohen rreth zbatimit të planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Në konferencen e përbashkët për media të mbajtur në Tiranë e ku i pranishëm ishte dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, Borrell deklaroi se do të ishte një hap jashtëzakonisht i madh për Ballkanin Perëndimor dhe integrimet e rajonit, nëse palët do të pajtoheshin, raporton RTK.
Ai rikujtoi se me datën 27 shkurt, pati takim të nivelit të lartë në Bruksel dhe aty, të dy, Kurti dhe Vuçiq, ranë dakord që nuk do të ketë diskutime të mëtutjeshme për propozimin e BE-së.
“Kjo do të thotë se teksti i kësaj marrëveshje është i mbyllur”, rikujtoi Borrell, duke qenë i bindur se marrëveshja në fjalë, sjell shumë shpresë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Borrell nënvizoi se çështja është se si dhe kur do të zbatohet kjo marrëveshje.
“Ka pasur marrëveshje në të kaluarën që nuk janë zbatuar dhe kjo nuk mund të ndodh tani”, tha ai, duke iu referuar shumë marrëveshjeve të nënshkruara nga Kosova e Serbia në kuadër të procesit të dialogut mes të dy shteteve, i nisur në vitin 2011.
“Zbatimi është një shtojcë që është pjesë përbërëse e vetë marrëveshjes që do të detyrojë palët të sigurohen sa i përket afateve dhe modaliteteve”, sqaroi ai.
Kryediplomati i BE-së deklaroi se kjo është një marrëveshje që përafron Kosovën dhe Serbinë, i vë në një bazë më të qëndrueshme dhe siguron se do të vazhdojë dialogu drejt normalizimit të plotë, duke shtuar se shpreson që të shtunën të dyja palët të shkojnë në Ohër, me një qasje konstruktive për të rënë dakord për afatet e zbatimit.
Leave a comment