Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili njihet vetëm për deklaratën e tij se “Qeveria Kurti po punon me shpejtësi si vaji në tepsi”, ka folur për rastit e vdekjes së ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari, në qendrën e paraburgimit në Prizren.
Blerim Sallahu, ka thënë se Prokuroria e Shtetit është duke e hetuar rastin e zhdukjes së mostrave të gjakut të Astrit Deharit.
Ai tregoi se ministria e Drejtësisë në momentin që e ka marrë vesh këtë çështje, më 7 dhjetor të vitit 2022, e ka lajmëruar rastin në prokurori.
Sipas tij, Prokuroria është duke u marrë me rastin, teksa u shpreh se asnjë informacion tjetër nuk e kanë si dikaster.
Sallahu, beson se rasti do të zgjidhet shumë shpejtë nga ana e sistemit të drejtësisë.
“Asnjë informacion nuk e kemi, sepse tash është në dorë të sistemit gjyqësor, ku bën pjesë prokuroria. Dhe është duke u hetuar rasti në plotni. Besoj që rasti do të zgjidhet shumë shpejt, sepse konstatohet se tre persona e kanë pasur çelësin e laboratorit dhe njëri prej tyre mund të bëjnë ndonjë hyrje të paautorizuar me ndonjë person tjetër dhe t’i marrë mostrat. Faktet janë të qarta për t’u marrë në përgjegjësi këta persona”, u shpreh ai në ATV.
Ai tha se një gardian, i cili ka qenë në autoambulancë bashkë me Dehari, kur është bartur nga burgu në spital, është marrë në pyetje pas gjashtë viteve nga prokurori përkatës.
Kjo ka ndodhur pasi që avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ia ka dërguar emrin e atij personi në prokurori, tregoi Sallahu.
Më pas, Prokuroria e Shtetit e ka ftuar atë për intervistim lidhur me rastin Dehari.
“Ai e ka fituar green card pak më herët pasi ka ndodhur rasti dhe jeton në Florida. Ka dyshime të mëdha, pastaj bartja e kamerave para policisë nga kryeinspektori i shkarkuar, që e cilëson si vetëvrasje”, shtoi ai në ATv.
Ndër të tjera, ai tha se janë shkarkuar shumë zyrtarë si të implikuar në rastin Dehari.
Madje, ai paralajmëroi edhe shumë shkarkime të tjera.
“Janë shkarkuar shumë të tjerë dhe do të vazhdojnë të shkarkohen edhe të tjerë. Sistemi i drejtësisë duhet ta japë verdiktin e tij pasi ka prova se djali është vra në burg”, shtoi ai.
Leave a comment