Matija Hasani ka 47 vjet qëkur hoqi vellon e saj në Dumnicë të Epërme të Podujevës, pasi lidhi kurorë me Sabitin.
Kroatja 74-vjeçare ka lindur në Bosnjë e Hercegovinë, por banore e Kosovës u bë pas martesës, që ndodhi në vitin e largët, 1976.
Nga martesa e saj me Sabitin ajo do të lindte një vajzë, por pas disa vitesh Matija mbeti e ve. Ajo tani jeton e vetme dhe në kushte të vështira ekonomike.
Për më tepër, Matija nuk posedon asnjë lloj certifikate, nuk ka letërnjoftim e asnjë dokument tjetër identifikues që mund të verifikonte ekzistencën e saj, si shtetase e Kosovës. Ky është edhe problemi ekzistencial i saj, i cili ia pamundësoi të drejtën e marrjes së pensionit, qoftë atë të moshës apo asistencën sociale.
KIKS Kosova ka provuar të kuptojë arsyen e harresës institucionale të kroates, që ka gati gjysmë shekulli që jeton në Kosovë.
Sipas informacioneve, Matija Hasani kërkesën për regjistrim civil e kishte dorëzuar me 24 qershor 2020 në Komunën e Podujevës, por që kjo kërkesë do t’i refuzohej.
Sipas dëshmive të siguruara nga KIKS-i, kërkesa e saj është refuzuar nga Zyra e Gjendjes Civile në Komunën e Podujevës.
Komuna e Podujevës, përmes një përgjigjeje elektronike, ka theksuar se Matija nuk i ka plotësuar kushtet e regjistrimit sipas Ligjit të Gjendjes Civile.
“Pas shqyrtimit të kërkesës për palën në fjalë e njëjta nuk i ka plotësuar kushtet e regjistrimit sipas ligjit të Gjendjes Civile dhe udhëzimeve administrative në fuqi. Neve e kemi trajtuar lëndën në bazë kompetencave dhe të ligjeve e udhëzimeve administrative dhe kemi njoftuar Agjencinë e Regjistrimit Civil’’, thuhet në përgjigje.
Pas këtij refuzimi, Komuna e Podujevës do ta udhëzonte që kërkesën ta drejtonte në shkallën e dytë, në Agjencinë e Regjistrimit Civil, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Por edhe këtu u refuzua. Në fakt ARC-ja kërkoi që lënda të kthehej serish te Komuna.
Kjo fundit thotë se Matija nuk arriti të faktonte se vendbanimi i saj real është Dumnica e Epërme e Podujevës.
Për me tepër, ata nuk marrin për bazë as certifikatën e martesës, me arsyetimin se kurora ka mundur të lidhet në cilindo vend të ish-Jugosllavisë.
“Siç u cek më lart, kërkesa për regjistrim bëhet sipas kërkesës së palës, sipas evidencës që ne posedojmë. Zonja në fjalë ka lidhur martesë me Sabit Hasanin në vitin 1976, ku në ato vite çdo qytetar ka pasur mundësi të lidhë martesë në çdo vend të ish-Jugosllavisë. Ne si gjendje civile nuk e dimë nëse e lartpërmendura jeton në Kosovë apo jo, sepse në kërkesën e vitit 2020, e bërë te ne, e njëjta nuk ka arritur të dokumentojë vendbanimin e saj, siç parashihet me ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi dhe si rrjedhojë pala e lartcekur është udhëzuar në mënyrë të drejtë për veprimet e mëtutjeshme’’.
Megjithëse për Komunën e Podujevës certifikata e martesës nuk dëshmon se ku u nënshkrua, e vërteta qëndron ndryshe.
KIKS Kosova ka siguruar certifikatën e kurorëzimit të Matija Hasani me të ndjerin Sabit Hasani dhe aty shkruhet qartë vendi i kurorëzimit, që është Dumnicë e Poshtme, Komuna e Podujevës.
Madje në certifikatë janë të qartë edhe emrat e dëshmitarëve dhe të zyrtarëve që punonin në atë kohë në zyrën e gjendjes civile.
Leave a comment