Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar për trafikim me armë në një aksion të cilin e ka zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Speciale në Mitrovicën Jugore dhe në Prishtinë.
Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë dhe PK-së, aksioni i datës 12 mars është zhvilluar në pesë lokacione të ndryshme.
“Të dyshuarit në mënyrë të organizuar si grup i rrezikshëm kriminal, dyshohet se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’’ nga neni 277 lidhur me veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364 dhe veprën penale ”Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366”, thuhet në komunikatë.
Gjatë operacionit janë arrestuar pesë (5) persona me inicialet S. S., S. S., E. Xh., Sh. D. dhe Sh. J., si dhe gjatë kontrollit dhe bastisjeve të kryera në prona/shtëpi banimi, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: njëzetë (20) armë (AK-47), njëzetë (20) karikatorë AK 47, dy automjete, gjashtë (6) telefona si dhe dokumente relevante për rastin.
“Me vendim të prokurorit kompetent pesë (5) të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për të vazhduar me procedura të mëtejme ligjore”, thuhet në komunikatë.
Leave a comment