Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se në Kosovë ka ardhur për të parë se si e sheh Kosova planin e zbatimit të propozimit evropian. Pas takimeve me krerët e shtetit, Lajçak ka thënë se pritjet i janë përmbushur.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Lajçaku ka shprehur optimizëm se plani i zbatimit dhe propozimi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, mund të finalizohen si një dokument më 18 mars, në takimin që parashihet të mbahet mes palëve në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
“Takimi jonë i fundit në Bruksel ishte i suksesshëm. Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq u pajtuan se s’ka nevojë të diskutohet më për përmbajtjen. Teksti tashmë është publik dhe të gjithë e dinë se çka përmban. Por që të bëhet dokument ligjërisht i obligueshëm duhet të pajtohemi se si të implementohet. Duhet të dimë cilat janë hapat, sekuencat e tij dhe afatet kohore. Përndryshe do të jetë vetëm marrëveshje politike dhe jo formale. Qëllimi kryesor i vizitës në Prishtinë është të diskutoj implementimin e dokumentit me kryeministrin Kurti. Mund ta them se patëm diskutim konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të dobishëm”, ka thënë ai duke shtuar se do të takohet edhe me palë të tjera.
“Qëllimi kryesor i vizitës është të shoh se si Kosova e sheh implementimin. Dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë kontekst”, ka thënë ai duke shtuar më pas se do të shkojë edhe në Beograd për të njëjtin qëllim.
Teksa është shprehur optimist për takimin e 18 marsit, Lajçaku ka shtuar se “është e pamundur që tash të thuhet më shumë”.
Leave a comment