Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, tha se nuk ishte e njoftuar që opozita kishte vendosur ta lëshonte sallën e Kuvendit, me ç’rast hyri në seancë, u nënshkrua dhe doli në bufenë e këtij institucioni.
Kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, deklaroi të mërkurën se deputetja e AAK-së është futur vetëm sa për t’u nënshkruar dhe ka dalë nga salla, ndërsa Reshitaj tha se ka pritur për gjysmë ore në bufe, “për të parë nëse në pikat e radhës do të ktheheshin deputetët për të vazhduar”.
“Unë kam qëndruar 30 minuta në Kuvend, por shkurt në sallë pasi që vetëm pasi kam hyrë e jam nënshkruar, e kam kuptuar se opozita kishte vendosur për të lëshuar sallën. Meqë nuk kisha informacione se sa do të zgjaste mungesa e tyre, kam qëndruar për rreth 30 minuta në bufe të Kuvendit, për të par ënese në pikat e radhës do të ktheheshin deputetët për të vazhduar. Meqë nuk janë kthyer, për aq kohë, pas mbi 30 minutave kam lëshuar Kuvendin”, deklaroi Reshitaj.
Ajo tha se i vjen keq që Konjufca përmendi emrin e saj për mëditje pasi që “vetëm për ato nuk do të sakrifikoja aq shumë kohë e mund nga angazhimet e mia, për të punuar si e zgjedhur e popullit”.
Një rast i tillë ishte raportuar edhe vitin e kaluar.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, kishte hyrë në seancën e Kuvendit vetëm sa për t’u nënshkruar dhe kishte dalë menjëherë nga salla.
Nënshkrimet nga deputetët bëhen për të dëshmuar praninë e tyre në seancë në mënyrë që të marrin mëditjet.
Sipas rregulloreve në fuqi, mëditjet për një muaj, janë 250 euro.
Leave a comment