Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 25-vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari ka përkujtuar këtë familje por ka theksuar fëmijët që ishin viktima të asaj ngjarje.
Përmes një postimi, presidentja Osmani ka thënë se gjaku i tyre i njomë u bë dritë udhërrëfyese për çdo shqiptar.
“Gjaku i tyre i njomë u bë dritë udhërrëfyese për çdo shqiptar! Lavdi përjetësisht!”, ka shkruar Osmani.
Këtë të diel janë bërë 25 vjet që nga rrethimi i familjes së Jasharëve, në Prekaz të Drenicës.
Sulmin e gjerë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Serbia e kishte koncentruar në Prekaz, duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.
Ngjarja e fillimit të marsit të vitit 1998 ishte e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit, duke ngritur çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 dhe 5 marsit të vitit 1998, Prekazi ishte rrethuar nga forcat e shumta ushtarake dhe policore, e kjo kishte lënë të kuptohej se atje do të kishte rrethim të hekurt.
Më 5 mars të këtij viti bëhen 25 vjet nga rënia e komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.
Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuara nga forcat paramilitare serbe që nga viti 1991 deri më 1998. Synimi i tyre ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën ishin duke ia bërë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Leave a comment